Komandanti i Gardës së Ajovës dekorohet me medalje për shërbim vetëmohues
Nën përkujdesjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në Ministrinë e Mbrojtjes është organizuar të mërkurën një pritje shtetërore për nder të komandantit të Gardës Kombëtare të Ajovës së ShBA-së, gjeneralmajor Timothy Orr, ku kanë marrë pjesë përfaqësues institucionalë, deputetë, ministra, përfaqësues diplomatikë të akredituar në Kosovë dhe ushtarakë.
Me këtë rast, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama ka folur për rëndësinë e partneritetit ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës si dhe kontributin e gjeneralit Orr në këtë bashkëpunim.
“Që nga themelimi i Programit të partneritetit shtetëror në vitin 2011, në sajë të vizionit strategjik dhe përkushtimit strategjik të gjeneralit Orr, FSK-ja është zhvilluar si forcë më profesionale dhe e gatshme për t’ju shërbyer qytetarëve të saj. Gjeneral Orr, unë jam shumë mirënjohës për përpjekjet e jashtëzakonshme të ushtarëve të aviacionit të Garda Kombëtare të Ajovës, që kanë bërë, nën udhëheqjen tuaj, për zhvillimin e zyrtarëve, nënoficerëve dhe ushtarëve të FSK-së. Sot ne jemi më të fortë dhe më profesionalë. Faleminderit!”, ka thënë gjenerallejtënant Rama.
Në fund, gjeneral Rama e ka dekoruar gjeneralin amerikan, Timothy Orr me medaljen për shërbim vetëmohues.
Ndërsa, gjenerali Orr i entuziazmuar nga atmosfera e ngrohtë e krijuar për nderë të tij ka deklaruar: “Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe jam shumë krenar që po nderohem me medalje nga FSK-ja. Ne, në veçanti kemi zgjedhur Kosovën nga 18 vende. Nga këtu po shoh anëtarët e forcave të mia dhe të FSK-së. E keni përkushtimin tim dhe do të vazhdojmë t’ju ndihmojmë në këtë fushë”.
/Epoka e re/