Komandanti i Gardës së Ohios flet për ‘Javelinët’ e Kosovës: Pajisjet amerikane janë kudo
Komandanti i Gardës Kombëtare të Ohios, John Harris, ka folur për pajisjen e Kosovës me raketat anti-tank “Javelin”.
I pyetur nga “Tanjug” nëse Serbia duhet të shqetësohet se Amerika po e armatos Kosovën me këto raketa”, ai ka thënë se pajisjet amerikane mund të gjenden kudo dhe se ShBA-ja së fundmi i ka dorëzuar Serbisë 66 automjete të blinduara “Humvee”.
“Gjëja më e rëndësishme është që ne ushtarët të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit dhe të ndërtojmë partneritetin tonë mbi këtë, dhe ua lëmë politikën politikanëve”, ka thënë Harris.
Tashmë, Departamenti Amerikan i Shtetit ka konfirmuar se ka përfunduar periudha 30-ditore e njoftimit të Kongresit Amerikan rreth kërkesës së Kosovës për të blerë “Javelin”.
Një zëdhënës i DASh-it, në një përgjigje për mediet në Kosovë, ka thënë se tani i takon Kosovës që të vendosë lidhur me planet e tyre për blerjen e “Javelin” nga Amerika.