Komandanti i KFOR-it: Angazhimi ynë për sigurinë, i palëkundur
Një vit më parë paqeruajtësit e misionit të KFOR-it u sulmuan gjatë protestave të dhunshme në komunën e Zveçanit nga një grup protestuesish serbë.
Në reagimin e KFOR-it në njëvjetorin e këtij sulmi theksohet se 93 efektivë u plagosën në atë kohë, disa prej të cilëve me lëndime të rënda dhe këto sulme sipas tyre ishin të paprovokuara dhe ishin krejtësisht të papranueshme.
Në njëvjetorin e sulmit ndaj KFOR-it në Zveçan, komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, thekson se guximi i ushtarëve ndihmoi në stabilizimin e situatës në atë zonë dhe parandalimin e një përshkallëzimi të mëtejshëm të dhunës.
“Sot, ne nderojmë shërbimet dhe sakrificat e bashkëluftëtarëve tanë, të cilët vunë jetën e tyre në rrezik për t’i kryer detyrat e tyre për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin… Guximi i tyre ndihmoi në stabilizimin e situatës në zonë dhe parandalimin e një përshkallëzimi të mëtejshëm të dhunës”, tha Ulutash, komandant i KFOR-it.
Tutje në reagim thuhet se e faktet duhet të vërtetohen dhe autorët duhet të mbahen përgjegjës. Pas dhunës, NATO ka dislokuar rreth 1000 paqeruajtës shtesë në Kosovë.