Komandanti i KFOR-it, Barduani: Paqja e qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë kërkon zgjidhje politike

25 dhjetor 2024 | 11:13

Komandanti i ri i KFOR-it, Enrico Barduani, ka deklaruar se paqja e qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë kërkon zgjidhje politike.

Barduani, në një intervistë për Albanian Post ka sqaruar se me deklaratën e tij se “zgjidhja mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të jetë me mjete ushtarake, por me dialog”, nënkupton se alternativa për çështje thelbësore mes palëve është në duar të diplomacisë dhe politikës.

“Ndërsa prania ushtarake e KFOR-it është e nevojshme për të përballuar sfidat aktuale të sigurisë, paqja e qëndrueshme kërkon një zgjidhje politike. Në fakt, pas një krize ndërkombëtare, forcat ushtarake janë funksionale për të krijuar një mjedis të sigurt, por është në duar të diplomacisë dhe politikës që të zgjidhin çështjet thelbësore që shkaktuan krizën dhe të arrijnë një zgjidhje të qëndrueshme. Kjo nuk mund të jetë një detyrë që i besohet personelit ushtarak”, deklaroi Barduani për AP.

Barduani kishte shërbyer në Kosovë në vitin 2001 si oficer dhe më pas, në vitin 2015, si shef i kabinetit të komandantit të KFOR-it. Aktualisht, ai e konsideron situatën e sigurisë më stabile, por megjithatë ajo vazhdon të mbetet e brishtë edhe pas më shumë se dy dekadash.

“Situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar ndjeshëm që nga viti 2001, ajo ka mbetur e qetë, por e brishtë prej vitesh. Kjo është kryesisht për shkak të mungesës së përparimit të dukshëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilin ne vazhdojmë ta mbështesim plotësisht”.

Barduani, ka deklaruar se menjëherë pas sulmit terrorist në kanalin e ujit në Ibër-Lepenc, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, të cilin aktualisht ai e udhëheqë, kanë siguruar zonën, por që ka theksuar se përgjegjës për sundimin e ligjit është Policia e Kosovës.

Ushtaraku italian mori komandën e KFOR-it më 11 tetor, duke e zëvendësuar kështu ne këtë pozitë turkun, Ozkan Ulutas-in.

Një muaj e gjysmë pasi mori detyrën, Kosova u përballe me një nga sulmet më të rënda në infrastrukturën kritike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndeshja e xhiros së nëntë mes Borës dhe Sigal Prishtinës…