Komandanti i KFOR-it: Pas sulmit në Ibër-Lepenc menjëherë siguruam zonën, por përgjegjësia për sundimin e ligjit është e Policisë
Komandanti i ri i KFOR-it, Enrico Barduani, në një intervistë për Albanian Post ka folur për situatën e sigurisë në Kosovë, sulmin terrorist ndaj kanalit të Ibër-Lepencit që dëmtoi infrastrukturën kritike dhe për gjetjen e armatimit nga policia. Barduani ka deklaruar se, në një periudhë kur vlerësohej se situata e sigurisë po përmirësohej, përgjegjësia për ruajtjen e sigurisë ishte kaluar te institucionet e Kosovës.
Komandanti i ri i KFOR-it, Enrico Barduani, ka thënë në një intervistë për Albanian Post se menjëherë pas sulmit terrorist në kanalin e ujit në Ibër-Lepenc, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, të cilin aktualisht ai e udhëheqë, kanë siguruar zonën, por që ka theksuar se përgjegjës për sundimin e ligjit është Policia e Kosovës.
Ushtaraku italian mori komandën e KFOR-it më 11 tetor, duke e zëvendësuar kështu ne këtë pozitë turkun, Ozkan Ulutas-in. Një muaj e gjysmë pasi mori detyrën, Kosova u përballe me një nga sulmet më të rënda në infrastrukturën kritike.
I pyetur se përse KFOR-i nuk arriti që ta ndalojë këtë sulm, duke qenë se është përgjegjës për sigurinë në Kosovë, Barduani thotë se Policia e Kosovës është përgjegjës për zbatimin e ligjit.
Bazuar në monitorimin e situatës, sipas tij, gjendja kishte shkuar drejt përmirësimit, prandaj edhe shumë përgjegjësi për ruajtjen e sigurisë ishin kaluar tek institucionet e sigurisë së Kosovës.
“Dëshiroj të shtoj se, me kalimin e kohës, falë përmirësimeve progresive të situatës së sigurisë, shumë përgjegjësi për ruajtjen e sigurisë janë kaluar tek organizatat e sigurisë së Kosovës”.
“Hetimet do të përcaktojnë çdo lidhje të mundshme ndërmjet gjetjeve që përmendët dhe ngjarjes, e cila ende po hetohet”, deklaroi ai për Albanian Post.
Aktualisht, në Kosovë janë mbi 4 mijë ushtarë të KFOR-it nga 29 shtete, përfshirë aleatët dhe partnerët e NATO-s sipas Barduanit, “kjo është e mjaftueshme për të trajtuar situatën aktuale”.
Intervista e plotë me komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani:
Albanian Post: Me marrjen e komandës suaj, kemi parë disa patrullime të shtuara të KFOR-it në Veri. Duke u bazuar në këto patrullime, cili është këndvështrimi juaj për situatën e sigurisë atje?
Enrico Barduani: Situata në gjithë Kosovën është e qetë, por e brishtë, pasi është vazhdimisht e ekspozuar ndaj përshkallëzimeve të mundshme. Në këtë kontekst, KFOR-i ka zbatuar masa parandaluese përmes një qasjeje fleksibile dhe të vendosur në terren. Ne kemi qenë në gjendje të rrisim praninë dhe të vazhdojmë të kryejmë detyrat tona në mënyrë efektive falë dislokimit të forcave shtesë – pas rritjes së tensioneve në vitin 2023 – para ardhjes sime.
Ne do të sigurohemi që misioni ynë të mbetet i pajisur dhe i pozicionuar mirë për të vazhduar zbatimin e mandatit tonë të gjatë të OKB-së për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
Albanian Post: Si ndodhi që KFOR-i nuk arriti ta parandalojë sulmin terrorist në Ibër-Lepenc?
Enrico Barduani: Siç e dini, ne e kemi dënuar fuqishëm sulmin ndaj tubacionit të ujit në Zubin Potok më 29 nëntor, i cili pati një ndikim të rëndë në furnizimin me ujë dhe energji elektrike në pjesën veriore të Kosovës.
E theksuam qartë se është e rëndësishme që të vendosen faktet dhe ata që janë përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë. Ne menjëherë siguruam zonën dhe ofruam mbështetje shtesë logjistike, për eliminimin e municioneve dhe për mbështetje inxhinierike për institucionet në Kosovë.
Sigurimi i përgjegjësisë është një domosdoshmëri. Ndërkohë që faktet janë duke u përcaktuar, është thelbësore të shmangim retorikën dhe veprimet inflamatorë që mund të shkaktojnë tensione, pasi kjo do të dëmtonte sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon.
Dëshiroj të shtoj se me kalimin e kohës, falë përmirësimeve progresive të situatës së sigurisë, shumë përgjegjësi për ruajtjen e sigurisë janë kaluar tek organizatat e sigurisë të Kosovës. KFOR, kështu, punon ngushtë në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX (Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë), në rolet e tyre përkatëse si përgjigjes të sigurisë.
Albanian Post: Policia e Kosovës ka konfiskuar një numër të madh armësh dhe dëshmi materiale që dyshohet se i përkasin terroristëve të përfshirë në sulm. Si është e mundur që KFOR-i nuk ka arritur t’i kapë këto dëshmi materiale?
Enrico Barduani: Ndërsa KFOR vazhdon të sigurojë një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur, zbatimi i ligjit është përgjegjësi e Policisë së Kosovës. Hetimet do të vendosin çdo lidhje të mundshme ndërmjet gjetjeve që përmendët dhe ngjarjes, e cila ende po hetohet.
Në kuadër të mandatit të tij, KFOR siguroi menjëherë zonën, ofroi ndihmë për institucionet në Kosovë dhe po kryen aktivitete monitorimi dhe sigurie në infrastrukturat kritike të ndryshme në të gjithë Kosovën, në mbështetje të Policisë së Kosovës.
Albanian Post: Ky është sulmi i dytë terrorist në Kosovë. I pari ndodhi në Banjskë dhe përfundoi me fatalitet, me humbjen e jetës së një polici, ndërsa i dyti dëmtoi infrastrukturën kritike të Kosovës. Cilat janë gjasat që Kosova të përballet përsëri me një sulm terrorist?
Enrico Barduani: Siç thashë më parë, nuk dua të spekuloj për ndonjë skenar të ardhshëm. Dhe, përsëri, vetëm rezultatet e hetimit në vazhdim mund të na tregojnë për natyrën dhe dinamikat e ngjarjes së 29 nëntorit, të cilën ne e kemi dënuar fuqishëm. Pas ngjarjes, KFOR-i ofroi siguri për infrastrukturën e dëmtuar dhe për zonat përreth, dhe ofroi mbështetje logjistike, për eliminimin e municioneve dhe për mbështetje inxhinierike për institucionet në Kosovë.
Për shkak të situatës së zhvillueshme të sigurisë, vitin e kaluar NATO vendosi të rrisë numrin e forcave të KFOR-it, si dhe të dislokojë forca rezervë për një periudhë të kufizuar kohore.
Sot, forca e KFOR-it është më shumë se 4 mijë e 300 ushtarë (të kontribuar nga 29 shtete, përfshirë aleatët dhe partnerët e NATO-s). Kjo është e mjaftueshme për të trajtuar situatën aktuale dhe për të vazhduar të realizojmë në mënyrë efektive mandatin tonë të OKB-së.
Në rast se situata përkeqësohet, NATO ka aftësinë për të forcuar menjëherë misionin e KFOR-it, përmes shtresave të ndryshme të forcave rezervë dhe forcës së re të reagimit të aleatëve, që aktualisht drejtohet nga trupat e shpejtë të dislokueshëm të NATO-s të Italisë dhe është e përbërë nga njësitë me një njoftim shumë të shkurtër për lëvizje.
Albanian Post: Ju keni shërbyer më herët në Kosovë, në vitin 2001 si oficer dhe më pas në vitin 2015 si shef i kabinetit të komandantit të KFOR-it. Meqë keni parë situatën e sigurisë edhe atëherë, sa vlerësoni se është përmirësuar ajo krahasuar me vitet e kaluara?
Enrico Barduani: Saktësisht, kjo nuk është hera ime e parë në Kosovë. Shërbeva këtu për herë të parë në vitin 2001 si oficer i inteligjencës në Njësinë Kombëtare të Inteligjencës dhe më vonë, nga gushti i vitit 2015, shërbeva si Shef i Kabinetit të Komandantit të KFOR-it.
Ndërsa situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar ndjeshëm që nga viti 2001, ajo ka mbetur e qetë, por e brishtë prej vitesh. Kjo është kryesisht për shkak të mungesës së përparimit të dukshëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilin ne vazhdojmë ta mbështesim plotësisht.
Albanian Post: Çfarë nënkuptuat me deklaratën tuaj se zgjidhja mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të jetë me mjete ushtarake, por me dialog?
Enrico Barduani: Ndërsa prania ushtarake e KFOR-it është e nevojshme për të përballuar sfidat aktuale të sigurisë, paqja e qëndrueshme kërkon një zgjidhje politike. Në fakt, pas një krize ndërkombëtare, forcat ushtarake janë funksionale për të krijuar një mjedis të sigurt, por është në duar të diplomacisë dhe politikës që të zgjidhin çështjet thelbësore që shkaktuan krizën dhe të arrijnë një zgjidhje të qëndrueshme. Kjo nuk mund të jetë një detyrë që i besohet personelit ushtarak.
Albanian Post: Para disa javësh, trupat e KFOR-it u shtuan në Urën e Ibrit në një kohë kur kishte tendenca nga Qeveria e Kosovës për hapjen e saj. Përse ndodhi kjo?
Enrico Barduani: Nuk ka pasur rritje të pranisë ushtarake në Ura e Ibrit gjatë komandës sime. Ne kemi realizuar aktivitete trajnimi periodike, kryesisht të lidhura me rotacionet e stafit dhe me nevojën e zakonshme për të testuar periodikisht procedurat tona operative që kanë kohë që janë në përdorim. Këto aktivitete trajnimi realizohen në të gjithë Kosovën nga të gjitha forcat tona, për të siguruar standardet më të larta të gatishmërisë dhe për të forcuar njohjen e tyre me mjedisin.
Albanian Post: Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald J. Trump, ka paralajmëruar disa herë se vendi i tij mund të reduktojë shpenzimet për mbrojtje në NATO. Gjithashtu, përtej spekulimeve, gjatë presidencës së tij të parë, zyrtarë të lartë amerikanë kishin paralajmëruar tërheqjen e trupave amerikane nga KFOR-i. A ka vend për shqetësim dhe si do të reagoni në këtë rast?
Enrico Barduani: KFOR është një mision i udhëhequr nga NATO, legjitimiteti i të cilit buron nga Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244 e vitit 1999. Kjo do të thotë se KFOR do të vazhdojë të operojë sipas mandatit të tij, për aq kohë sa situata e sigurisë do ta kërkojë atë.
Si Aleancë, ne veprojmë si një tërësi, përmes unitetit tonë të përbashkët të përpjekjes dhe qëllimit, siç dëshmohet nga motoja e KFOR-it: UNITAS OMNIA VINCIT. KFOR qëndron përmes rotacioneve të rregullta të personelit të realizuara nga shtetet individuale që kontribuojnë me trupa në misionin tonë.
Albanian Post: Cilat janë pritjet për vitin e ardhshëm, do ta zvogëloni personelin, apo do të duhet ta shtoni sërish?
Enrico Barduani: KFOR ka treguar tashmë se mund të e përshtatë shpejt forcën që i duhet, si përgjigje ndaj zhvillimeve relevante në terren. Pra, çdo ndryshim në praninë dhe pozicionimin e KFOR-it do të vazhdojë të bëhet bazuar në një vlerësim të situatës së sigurisë.