Komandanti i KFOR-it: Sot Kosova është vend shumë më ndryshe se 20 vjet më parë
Komandanti i KFOR-it, Lorenzo D’Addario, ka shprehur sot përkushtimin e këtij misioni për të krijuar siguri edhe në të ardhme, pavarësisht sfidave me të cilat përballet.
D’Addario ka thënë se pajtimi me të kaluarën kërkon guxim për kompromis që mund të vijë vetëm me vizion dhe përkushtim ndaj njerëzve.
Ai këto komente i bëri me rastin e 20-vjetorit të hyrjes së trupave të KFOR-it në Kosovë, me ç’rast foli për punën e këtij misioni për të siguruar siguri për të gjithë qytetarët pa dallim etnie.
Lorenzo D’Addario ka kujtuar kohën e luftës kur kishte ndjenja dëshpërimi dhe frike në fjalën e tij.
“Kur mendoj për Prishtinën e vitit 1999, më kujtohet ndjenja e dëshpërimit dhe frikës, por edhe e ndjenjës që më e keqja kishte mbaruar, pas atyre muajve shkatërrimtar të luftës. Shumë njerëz ishin zhvendosur, kishte mungesë të sigurisë dhe të shërbimeve themelore. Ne ndjenim se kishim një mision shumë të rëndësishëm, shumë afër vendeve tona, por në të njëjtën kohë edhe shumë larg sa i përket mundësive që ne i kishim e njerëzit këtu jo. KFOR-i ka ofruar siguri dhe liri të lëvizjes për të gjithë duke mundësuar krijimin e kushteve dhe rifillimin e shërbimeve, jetës politike dhe civile duke punuar së bashku me organizmat dhe misionet e tjera ndërkombëtare në cilësinë tonë si prani ndërkombëtare e sigurisë me mandat të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, ka thënë ai.
Komandanti i KFOR-it 20 vjet pas Kosovën e sheh më ndryshe se në kohën e luftës.
“Si rezultat i kësaj, sot Kosova është vend shumë më ndryshe se 20 vjet më parë. Kosova ka përjetuar 20 vite të paqes dhe zhvillimit. Ky përparim nuk ka ardhur falas, gjatë këtyre viteve më shumë se 200 ushtarë humbën jetën gjatë shërbimit në KFOR”, ka thënë Lorenzo D’Addario.