Komandanti i KFOR-it takohet me Albin Kurtin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të shtunë të 3 shkurtit ka pritur në Kryeministri komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash.
Temë e diskutimit – ashtu siç ka njoftuar KFOR në platformën X – ishin zhvillimet e fundit të sigurisë.
“Komandanti i KFOR-it theksoi rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe efektiv në të gjitha institucionet e sigurisë, duke përfshirë KFOR-in dhe EULEX-in”, shkruhet në njoftim.
Po ashtu, KFOR-i konfirmoi se është i gatshëm të veprojë për të përmbushur misionin e tij.
“Komandanti konfirmoi se KFOR-i po monitoron situatën nga afër dhe mbetet i gatshëm të veprojë në përputhje me mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes”.
Ndërkaq, vetëm një ditë më parë misioni i NATO-s ka bërë të ditur për realizimin e një patrullimi sigurie përgjatë kufirit të Kosovës me Serbinë.
“Toga italiane e inxhinierëve ORF kryen një patrullë sigurie standarde përgjatë Vijës Kufitare Administrative”, është thënë në komunikatë.
Krahas fotografive në të cilat pjesëtarët e KFOR-it, po patrullojnë në terren, nga KFOR-i është thënë se janë plotësisht të fokusuar për zbatimin e mandatit të tyre.
“KFOR-i është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes”, thuhet më tej në njoftim.
Edhe më 8 janar, KFOR-i ka bërë të ditur se ushtarët italianë të Komandës Rajonale Perëndimore kanë kryer patrullime operative përgjatë vijës kufitare administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me qëllim monitorimin e territorit dhe sigurimin e një kornize adekuate të sigurisë.
E po ashtu edhe më 31 dhjetor, ushtarët italianë të KFOR-it kanë zhvilluar një stërvitje specifike që ka zgjatur katër orë në Liqenin e Ujmanit në Veri të vendit ku kanë stimuluar një ulje në një mjedis jo lejues.
Ndryshe, KFOR-i u vendos në Kosovë më 12 qershor 1999, pas një fushate ajrore 78-ditore. Kjo fushatë ajrore u nis nga Aleanca në mars 1999 për të ndalur dhe kthyer katastrofën humanitare që po shpalosej atëherë.