Komandanti i KFOR-it takohet me ministrin turk, flasin për situatën e sigurisë në Kosovë
06 shtator 2024
| 14:20
Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash është takuar të premten me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan.
Është bërë me dije se Ulutash dhe Fidani, ndër të tjera kanë biseduar për situatën e sigurisë në Kosovë, por edhe për aktivitetet e KFOR-it.
“Ata shkëmbyen mendime mbi zhvillimet e fundit të sigurisë, duke përfshirë aktivitetet e KFOR-it nën mandatin e tij të OKB-së. Gjeneralmajor Ozkan Ulutash theksoi kontributin e gjatë të Turqisë për KFOR-in dhe për stabilitetin rajonal”, ka njoftuar KFOR-i.
Përveç Ulutashit, ministri turk deri më tani është takuar edhe me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.