
Komandanti i Koshares, Hisen Berisha, bën nderime në Prekaz për Epopenë e UÇK-së
Ish-komandanti i Koshares, Hisen Berisha, ka bërë sot nderime në Prekaz me rastin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
“Prekazi, vendlindja e luftës për liri.
5, 6 dhe 7 Marsi 1998 nuk janë thjesht data në kalendar. Ato janë gurë themeli i historisë sonë, ditët kur familja Jashari dhe banorët e Prekazit qëndruan heroikisht përballë një makinerie të egër ushtarake serbe. Në ato ditë të lavdishme dhe tragjike, Prekazi u bë jo vetëm simbol i sakrificës, por edhe frymëzim për të gjithë ne që morëm armët për liri”, ka shkruar Berisha në Facebook.
Postimi i plotë i tij në Facebook:
Prekazi, vendlindja e Luftës për Liri
5, 6 dhe 7 Marsi 1998 nuk janë thjesht data në kalendar. Ato janë gurë themeli i historisë sonë, ditët kur familja Jashari dhe banorët e Prekazit qëndruan heroikisht përballë një makinerie të egër ushtarake serbe. Në ato ditë të lavdishme dhe tragjike, Prekazi u bë jo vetëm simbol i sakrificës, por edhe frymëzim për të gjithë ne që morëm armët për liri.
Sot, së bashku me bashkëluftëtarë, veteranë dhe bashkëpartiakë, nderuam dëshmorët e kombit në Kompleksin Memorial të Prekazit, aty ku filloi dhe u vulos rruga jonë për çlirim.
Me përkushtim të veçantë, ndala te varri i Blerim Zejnë Jasharit, fëmijës më të vogël të familjes, i cili bashkë me dy vëllezëritç dhe nënën e tij u masakruan nga forcat serbe. Ai u bë dëshmi e krimit dhe motivim për luftë deri në fitore.
Në vitet e luftës, në frontin e Koshares, fotografinë e fëmijës me numrin 36 e mbajta gjithmonë me vete, si simbol i sakrificës dhe motivim i pashuar për luftëtarët që, me betimin për liri, marshuan drejt përballjes me armikun.
Prekazi mbetet përjetësisht frymëzim për ne dhe brezat që vijnë. Sakrifica e Jasharajve na mëson se liria ka një çmim të madh, por edhe një vlerë të pamatshme. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!