Komandanti i Njësisë Speciale: Mjekët i kanë trajtuar pacientët me Covid por policët i kanë trajtuar të gjitha shtresat e shoqërisë
Amir Gërguri, komandant në Njësinë Speciale të Kosovës ka thënë se edhe para se të paraqiteshin rastet e para me COVID-19, Policia kishte kryer përgatitjet e duhura për menaxhimin e situatës. Ai kishte rezultuar pozitiv me COVID-19 tri herë.
Ai ka thënë se personalisht ka pasur njohuri lidhur me virusin, pasi kishte lexuar në vazhdimësi rreth pandemisë
Sipas Gërgurit, ndryshimi i masave çdo ditë në kohën kur u shfaqen rastet e para me koronavirus, ishte sfidë për Policinë.
“Në aspektin ligjor Policia është e mbuluar shumë mirë. Ne i kemi ligjet për menaxhimin e emergjencave shëndetësore, por kjo situatë nuk ka shans të menaxhohet vetëm me Policinë sepse puna në terren kërkon bashkëpunim me të gjithë madje edhe me qytetarët. E keqja e kësaj ka qenë sepse edhe policët kanë qenë të prekur me koronavirus. Ka pasur një varg sfidash”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se si shoqëri nuk ka pasur përgatitje të duhur për përballje me pandemi.
“Shpesh herë në opinion flitet për pjesën e mantelbardhëve që janë në frontin e parë e harrohet që pjesa më e goditur janë policët. Është e vërtetë që mjekët i kanë trajtuar pacientët por policët i kanë trajtuar të gjitha shtresat e shoqërisë”, ka thënë ai.
Gërguri ka rrëfyer përvojën e tij që prej infektimit me koronavirus. Ai ka thënë se para se të infektohej nuk ishte prekur asnjëherë nga ndonjë sëmundje më e rëndë.
“Jam infektuar në fillim të muajit korrik. Diku më 5 korrik kam ndje lodhje dhe dhimbje të fytit. Jam konsultuar me stafin shëndetësor dhe kam kryer testimin e pastaj rezultova që jam pozitiv. Për shkak që jetoj me familjen, pas infektimit tim, janë testuar të gjithë dhe përveç djalit, të gjithë kanë dalë pozitiv. Në ditët e para nuk ka qenë e rëndë, por dita e katër deri në ditën e nëntë ka qenë ferr i vërtetë. Në ditën e pestë vlerat që kanë dalë nga analizat kanë qenë shumë keq. Për tri ditë kam pasur temperaturë mbi 40 gradë. Për 12 ditë nuk kam ngrënë ushqim”, ka thënë ai në KTV.
Gërguri ka thënë se i ishte rekomanduar që të hospitalizohej në Klinikën Infektive, porse kishte refuzuar, duke qëndruar në vazhdimësi në kontakt me stafin shëndetësor.
Ai ka thënë se gjendja e mushkërive ishte shumë e keqe.
“Unë kam luftuar me jetën ato ditë. Kur e mora veten pas dy javësh mendova që e kalova por ndodhi ajo që nuk e prisja. Pasi e bëra testin, dola prapë pozitiv. Mjekët më thanë që duhet të vazhdojë me terapi, edhe herën e tretë dola pozitiv. Për katër javë kam qëndruar brenda katër mureve. Ajo që më ka përcjell gjatë gjithë kësaj kohe ishte bashkëshortja ime dhe personeli shëndetësor”, ka thënë ai.
Gërguri rrëfen se gjatë gjithë kësaj kohe ka qëndruar në dhomën e tij. Ai ka thënë se sfiduese ka qenë edhe pjesa financiare.
Sipas tij, kurimi ka një kosto të jashtëzakonshme.
“Unë gjatë asaj kohe kam menduar edhe për të tjerët që nuk e kanë mundësinë të trajtohen. Unë kam kaluar sfida të mëdha në jetë, por kjo është një situatë ndryshe. Është e vërtetë që më ka munguar puna, por kam luftuar me jetën, nuk e kam ditur se si do të jetë mëngjesi nesër”, ka thënë ai.
Ai tutje ka shtuar se urdhëresat që kanë marrë nga institucionet nuk kanë shkuar çdoherë te qytetarët.
Sipas tij, vendimet janë ndërruar në vazhdimësi, për çka ai thotë se policët janë sfiduar shumë.
“Kjo sëmundje i ka prekur të gjitha shtresat e shoqërisë, jo vetëm në pjesën fizike por psikike e shpirtërore. Qytetarët kanë pasur sfida gjithashtu, kanë pasur të sëmurë në spitale e në anën tjetër nuk kanë mundur të lëvizin. Policët kanë qëndruar në mes të krejt kësaj gjendje, prandaj është dashur të jenë fleksibil. Ne nuk jemi heronj, jemi shërbyes. Ne vazhdojmë të shërbejmë”, ka thënë ai.
Gërguri ka thënë se nuk kanë arsye ta ulin kokën para askujt, sepse kanë shërbyer në vazhdimësi.
Sipas tij, tash e tutje duhet të vazhdojnë edhe më fuqishëm deri sa të mundet ky armik.
“Bëj thirrje që njerëzit të mos hezitojnë që të marrin vaksinën. Unë mezi pres ta marrë”, ka thënë ai.