Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së Kenias vdes nga rrëzimi i helikopterit
Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së Kenias, gjeneral Francis Ogolla, ka vdekur nga rrëzimi i helikopterit në të cilin ndodhej të enjten në pjesën perëndimore të vendit, ka njoftuar presidenti i shtetit afrikan, William Ruto.
Helikopteri është rrëzuar pak pas nisjes së fluturimit të enjten pasdite sipas kohës lokale, duke lënë të vdekur Ogollën dhe nëntë pjesëtarë të tjerë të ushtrisë, sipas presidentit Ruto, i cili shtoi se dy persona mbijetuan, raporton “BBC”-ja.
“Jam thellësisht i pikëlluar që po e njoftoj ikjen e Gjeneralit Francis Omondi Ogolla, komandant i Forcave të Mbrojtjes të Kenias”, ka thënë Ruto.
Më tutje, presidenti ka thënë se një ekip hetuesish është dërguar në vendin e rrëzimit të helikopterit, në distriktin Elgeyo Marakwet për ta zbuluar shkaktarin e aksidentit.
Sipas presidentit, Ogolla ishte nisur nga Nairobi të enjten për t’i vizituar trupat në rajonin e Çarjes Veriore dhe për ta inspektuar rinovimin e shkollave.