Komandanti i KFOR-it: Situata në Kosovë është e qetë, nuk e kemi në plan zvogëlimin e ushtarëve
Pavarësisht ngjarjeve të fundit që kanë ndodhur në veri, situata në Kosovë është e qetë dhe stabile. Kështu ka thënë në një intervistë për “Kosovapress” komandanti i KFOR-it, gjenerali Salvatore Cuoci.
Ai ka theksuar se NATO-ja e përkrah transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur vetëm nëse bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.
Cuoci ka thënë se edhe pas ngjarjeve të fundit në veri, ku është vrarë politikani serb, Oliver Ivanoviq, KFOR-i me të gjitha institucionet e tjera të sigurisë në Kosovë është angazhuar në mbajtjen e një situate të qetë.
Gjeneral Cuoci ka thënë se rasti në fjalë në njëfarë mënyre ka prekur pak gjendjen e sigurisë në vend.
Komandanti i KFOR-it ka folur edhe për takimin me shefin e Shtabit të Ushtrisë së Serbisë, gjeneral Lubisha Dikoviq, i cili pati thënë se është njoftuar nga komandanti i KFOR-it se mund të ketë trazira në Kosovë, megjithatë Cuoci ka pohuar se nuk ka nevojë për shqetësim në këtë drejtim.
Më tutje, komandanti i KFOR-it ka thënë se nuk ka ndonjë plan për zvogëlimin e trupave të KFOR-it në Kosovë. Megjithëse në momentin kur kjo do të ndodhë, ai ka thënë se është një sinjal i mirë dhe shenjë e aftësisë se Kosova mund t’i kryejë vetë detyrat e saj.