Kombëtarja e Kosovës në hendboll me humbje nga Sllovenia përfundon kualifikimet Euro 2024
Kombëtarja e Kosovës në hendboll i ka përfunduar kualifikimet për Euro 2024.
Ndeshjen e fundit Kombëtarja jonë e luajti të dielën mbrëma në Velenje. Kosova u mposht nga Sllovenia me rezultat 33:28. Pas pjesës së parë rezultati ishte 19:12 për sllovenët.
Në periudha, Kombëtarja jonë ka shfaqur ndeshje të mirë dhe ka shënuar gola të bukur. Por në përgjithësi cilësia e lojtarëve sllovenë e bëri dallimin.
Gjatë këtij cikli kualifikues Kombëtarja jonë ka shfaqur hendboll të mirë në disa prej ndeshjeve. Por grupi ishte i fortë, me Kombëtare cilësore. Prej grupit të shtatë në Evropian janë kualifikuar Sllovenia, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi.
Ndaj Sllovenisë, Valon Dedaj i kishte tetë gola nga nëntë tentime, ndërsa Leonard Gegaj shënoi shtatë gola nga nëntë tentime. Liridon Zena i kishte dhjetë pritje.
Lulzim Shabani shënoi katër gola nga katër tentime, derisa katër gola nga tetë tentime i kishte Drenit Tahirukaj.