Kombëtarja e Shqipërisë, këta janë futbollistët e lirë
Në shumicën e kampionateve, dritarja e transferimeve është mbyllur, por për ata futbollistë të cilët janë të lirë, ka ende kohë. Pasi disa kuqezinj ndryshuan skuadër këtë verë, si Tomas Strakosha, Armando Broja, Nedim Bajrami, Taulant Seferi, Marvin Çuni apo Marash Kumbulla, ka ende lojtarë të Kombëtares të cilët kërkojnë një sistemim.
Për momentin, pas largimit nga Empoli, portieri Etrit Berisha nuk ka gjetur akoma një skuadër për të vijuar karrierën. E njëjta situatë edhe për Endri Çekiçin. Pasi prishi kontratën me klubin turk të Pendiksorit, mesfushori nuk ka firmosur ende me një ekip të ri. Teksa Frederik Veseli është shumë pranë Dinamos në Superiore, një mbrojtës tjetër si Kastriot Dermaku është akoma një futbollist i lirë pas largimit nga Lecce.