Kombëtarja spanjolle rikthehet pas 18 vjetësh në katalunjë, luan miqësoren kundër Shqipërisë
Shqipëria do të luajë dy miqësore në muajin Mars, që janë dhe data të lira posaçërisht për kombëtaret e futbollit.
Kuqezinjtë do të testohen fillimisht më 26 Mars në një takim luksi ndaj Spanjës së Luis Enriques i cili ka rindërtuar nga e para kombëtaren me elementë shumë të rinj.
Në fakt në Shqipëri nuk iu dha një rëndësi e veçantë por ky takim do të luhet në Katalunjë në stadiumin e Espanyol ku luan edhe Keidi Bare. Për ne nuk ndryshon asgjë por për spanjollët po sepse pas plot 18 vjetësh “La Roja” rikthehet të luajë në Katalunjë në zonën ku një vit më parë pati trazira të mëdha e ku tentuan një referendum për shkëputje.
Jo pa qëllim Federata Spanjolle tashmë ka rikthyer kombëtaren e futbollit të luajë në “RCDE Stadium” pas kaq shumë vitesh në përpjekjet për të bashkuar tifozët dhe popullin spanjoll dhe ndaj Shqipërisë do të jetë një duel shumë i veçantë.
Federata madje ka ftuar tifozët me një video të veçantë që të jenë të pranishëm në stadium dhe të mbështesin Spanjën.