Komediani Zelensky zgjedhet president i Ukrainës
Komediani ukrainas, Volodymyr Zelensky, pa përvojë politike ka fituar në zgjedhjet e balotazhit duke u bërë presidenti i ardhshëm i Ukrainës.
Exit poll-et e para treguan se 41-vjeçari është fitues i balotazhit që e vendosi atë përballë Petro Poroshenkos, i cili këmbëngulte për një mandat të dytë në këtë post.
Sipas rezultateve të exit polleve Zelenski ka marrë mbi 70% të mbështetjes, duke e lënë kështu shumë prapa rivalin e tij.
“Kjo e sotmja do të jetë fitore e Ukrainës dhe e zgjedhjes së lirë”, deklaroi ai ndërsa pret konfirmimin.
Aktori komik e dominoi qartazi dhe raundin e parë përpara tre javësh, kur në garë ishin 39 kandidatë.
Presidenti në Ukrainë ka një pozicion mjaft të fuqishëm e vendos mbi politikat e sigurisë, mbrojtjes dhe atë të jashtme.