Koment urgjent / Gjuha e urrejtjes e Kurtit në fushatë, si shantazh për ShBA-në?
Milazim Krasniqi
Albin Kurti po e përhapë gjuhën e urrejtjes kundër opozitës, kundër medieve, kundër biznesmenëve, kundër prokurorëve, pa e provokuar askush. Gjuhën e urrejtjes ai po e shndërron në program, meqë ka hyrë në fushatë pa program. Në të kaluarën, si opozitar, ai përdorte gjuhën e urrejtjes dhe dhunën politike, por në sfondin e masave që merreshin nga drejtësia, ai shpesh dukej si viktimë. Por, tash po e përdorë gjuhën e urrejtjes, duke qenë pushtetar e nuk mund të trajtohet si viktimë. Përdorimi i gjuhës së urrejtjes si pushtetar, jo vetëm që nuk ia krijon alibinë e viktimës, por paraqet rrezik më të madh për sigurinë në vend. Mbi të gjitha, paraqet rrezik për procesin zgjedhor. Nuk është krejt e qartë pse Kurti po insiston me aq ngulm, që të dëmtohet procesi zgjedhor. Nuk duket se e ka nga frika e humbjes së zgjedhjeve. Mua më duket se e ka një mesazh që po tenton ta përcjellë tek amerikanët: nëse nuk më lini në pushtet, do ta rikthejë dhunën politike në Kosovë. Ky është mesazhi-shantazhi i Kurtit për SHBA-në e NATO-n. Por pas fitores së Trampit në ShBA, ky shantazh nuk pi më ujë. Administrata e Trampit nuk shantazhohet. E kundërta mund të ndodhë: ajo mund ta shtyjë LVV drejt opozitës, që atje të kërkohet llogari prej saj, me anën e drejtësisë, për krimin e korrupsionit qeveritar dhe për rrezikimin që u është bërë ushtarëve të KFOR-it në veri, nga politikat e pakoordinuara me ndërkomëbarët.
E sigurt është që në këto zgjedhje Kurti nuk ka konflikt me opozitën, sepse opozita nuk e ka pranuar ofertën e tij për konflikt. Në këto zgjedhje Kurti ka konfikt (sado që duket i fshehur) me ShBA-në. Ka rrezik që shantazhi i Kurtit ndaj ShBA-së, me rrezikimin e stabilitetit të Kosovës, ka njëfarë ngjashmërie me konfliktin e Berishës me SHBA-në në vitin 1996, gjë që rezultoi me katastrofën e vitit 1997. (Vetëm mos të jetë që dikush nuk ka paralajmëruar për rrezikun që e kërcënon Kosovën, nëse e vazhdon Kurti këtë lojë të rrezikshme.) Një gjë duhet ta kenë të qartë njerëzit normalë në Kosovë: Amerika nuk shantazhohet nga asnjë qeveri në botë. Më së paku nga qeveria e një vendi si Kosova, i cili e gëzon pavarësinë dhe sigurinë falë Amerikës.