Komentuesit ‘gozhdojnë’ Rizvanollin e cila kërkoi nga qytetarët t’i izolojnë shtëpitë

29 shtator 2022 | 16:53

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka kërkuar nga qytetarët që t’i izolojnë shtëpitë përpara se të ftohet moti, derisa ka potencuar se duhet të ndërrohet edhe mënyra e ngrohjes, pra që të mos shfrytëzohet rryma për ngrohje.

“Izoloni shtëpitë, para se të bëhet ftohtë. Ndërroni mënyrën e ngrohjes”, ka thënë ministrja Rizvanolli, gjatë arsyetimit të vendimit për zgjatjen e masave emergjente për furnim me energji.

Kjo deklaratë e Rizvanollit ka ngjallë reagim e qytetarëve, të cilët kanë komentuar në faqen zyrtare të gazetës “Epoka e re” në “Facebook”.

Disa prej tyre kanë thënë se qytetarët janë duke u përballuar me probleme të shumta ekonomike. Sipas tyre qytetarët nuk kanë mundësi t’i mbulojnë as shpenzimet as për produktet elementare.

“Populli nuk po mundet mi ble 5 metra dru mu nxehë, e kjo izoloni shtëpitë, që një shtëpi mesatare kushton minimum 5 mijë euro!”, ka shkruar Bekim Kosumi.

“Me çka me i izoluar? Kush i ka 6000-7000 euro me i izoluar kur nga muaji në muaj po rriten çmimet. Është bërë vështirë me kaluar muajin për gjera elementare. Mos u bazo në vete sepse ju i merrni pos pagës mbi 1 500 euro, i keni te gjitha shpenzimet e mbuluara e edhe mëditje keni prej një dere në një tjetër. Mos bë hajgare se çdo kush ka dëshirë me i izoluar shtëpitë, por nuk kanë si dhe ku t’i marrin parat!”, ka shkruar Fehmi Bylykbashi.

“Janë qesharakë disa ministra. Për ta izoluar shtëpinë sot nevojiten 5 mijë euro. Ai që i ka 5 mijë euro e ka izoluar shtëpinë me kohë. I njëjti edhe krizën e përballon pa telashe. Por po frikësohemi si do ta përballoni ju ministrat pasi t’i shkoni përqindjet e tenderëve?!”, ka shkruar Zeqir Bekolli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Roberto Firmino do të largohet nga Liverpooli pas shtatë vjetësh…