Komercialja refuzon ankesën e MINT-it, edhe në shkallën e dytë vendos në favor të “Klan Kosovës”
Dhoma e shkallës së dytë e Gjykatës Komerciale, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) në rastin e “Klan Kosovës”.
Komercialja ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë të saj për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të MINT-it.
“Refuzohet si e pabazuar ankesa e të paditurës – Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Komerciale, Dhomat e shkallës së parë- Departamenti për Çështje Administrative, KA.nr.315/23 i datës 02.08.2023, Vërtetohet”, është thënë në vendimin e Komerciales.
Më 2 gusht të këtij viti, po e njëjta gjykatë pati aprovuar ankesën e “Klan Kosovës” për shtyrjen e vendimit të MINT-it rreth pezullimit të certifikatës së biznesit.
Në arsyetimin e kësaj gjykate ishte thënë: “I. Aprovohet si e bazuar kërkesa e paditësit Klan Kosova Sh.p.k., për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve”. II. Shtyhet ekzekutimi i vendimit nr. 4566/01 i datës 28.07.2023 i nxjerrë nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve dhe Vendimit nr. 309/11 i datës 14.06.2023 i nxjerrë nga Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë për Regjistrin e Bizneseve në Kosovë, derisa gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësit”.
Ky vendim ishte mirëpritur nga organizatat për lirinë e medias në Kosovë, ato ndërkombëtare, ambasadat si dhe shoqëria civile. /Betimipërdrejtësi