KOMF-i: Vetëm vitin e kaluar janë shënuar 249 raste kundër integritetit seksual të fëmijëve

30 gusht 2022 | 12:12

Nisur nga rasti i fundit i dhunimit seksual të të miturës 11 vjeç, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF i cili përfaqëson 34 organizata joqeveritare, ka mbajtur konferencë për medie, ku shprehu shqetësimin e thellë karshi neglizhimit, mosveprimit të institucioneve dhe performancës së dobët të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve, në parandalimin e situatave të sulmeve dhe abuzimeve seksuale ndaj fëmijëve dhe trajtimin e rasteve ku fëmijët janë viktima të abuzimit seksual.

KOMF ka shprehur indinjatën e thellë lidhur me krijimin e kulturës së mosndëshkimit të kryerësve të veprave të krimeve seksuale kundrejt fëmijëve, të kultivuar në radhë të parë nga vetë institucionet e mandatuara për mbrojtjen e fëmijëve. “Kjo kulturë ka stimuluar një mjedis social të pasigurt e të rrezikshëm, ku shkelja e të drejtave themelore të fëmijëve, cenimi i integritetit të tyre fizik, moral dhe seksual, bëhet fenomen i zakonshëm e jo përjashtim”, është thënë nga përfaqësuesit e KOMF-it.

Sipas KOMF-it, viteve të fundit ka pasur rritje të vazhdueshme të numrit të rasteve të veprave kundër integritetit seksual të fëmijëve sikurse dhunimi, sulmi seksual, degradimi i integritetit seksual dhe keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi.

Përkatësisht, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, në vitin 2021 janë shënuar 249 raste kundër integritetit seksual të fëmijëve.

“Rastet e abuzimeve seksuale të fëmijëve dëshmojnë dhimbshëm jo vetëm ngathtësinë dhe mefshtësinë e sistemit të mbrojtjes së fëmijës viktimë e abuzimit seksual, por edhe mungesë të theksuar të seriozitetit të gjithë sistemit të drejtësisë, në trajtimin dhe ndëshkimin e kryerësve të abuzimit seksual me fëmijët. Marrë parasysh rastet e shumta që janë raportuar dhe bërë mediatike së fundmi, përfshirë këtu edhe rastet që kanë përfunduar me fatalitet pikërisht për shkak të dështimit të institucioneve të sistemit prokurorial dhe gjyqësor, ne kemi pritur reagim institucional nga niveli më i lartë, me qëllim reflektimi, mobilizimi dhe llogaridhënieje për mungesë performancë në nivel të përgjegjësisë, të të gjithë akterëve të sistemit të mbrojtjes së fëmijës. Mosveprimi perceptohet si indiferencë e kjo reflekton negativisht tek ofruesit e mbrojtjes në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe përgjegjësisë”, kanë theksuar përfaqësuesit e KOMF-it.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Paris Saint-Germain po monitoron situatën e kontratës së N’Golo Kante…