KOMF: Mos i shfrytëzoni fëmijët në fushatë zgjedhore

16 janar 2025 | 14:29

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, ka bërë me dije se informacionet dhe raportimet nga terreni gjatë ditëve të fundit kanë treguar se në disa raste, partitë politike po përdorin dhe përfshijnë fëmijë për të promovuar subjektet politike.

Nisur nga kjo, KOMF bën thirrje tek të gjithë subjektet politike që të mos i shfrytëzojnë fëmijët në kuadër të fushatës zgjedhore. “Përfshirja e fëmijëve në fushatë elektorale nga subjektet politike përbën shkelje të të drejtave të tyre, shfrytëzim, e në të njëjtën kohë nuk është në interesin më të mirë të tyre”, ka njoftuar KOMF.

Po ashtu KOMF i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të monitorojë nga afër aktivitetet e subjekteve politike dhe në çdo rast të shkeljes së konstatuar të lidhur me shfrytëzimin e fëmijëve si pjesë e fushatës elektorale, të ndërmarrë masa bazuar në legjislacionin në fuqi.

KOMF-i në të njëjtën kohë i bën thirrje edhe prindërve që të mos i politizojnë fëmijët, të mos i përfshijnë në asnjë formë në fushatë dhe të mos i marrin fëmijët me vete në aktivitetet të cilat organizohen nga partitë politike.

Gjithashtu KOMF-i i bën thirrje mediave të cilat mbulojnë fushatën zgjedhore, që të ndërmarrin një rol aktiv në monitorimin e situatës dhe të bëjnë publike rastet ku fëmijët shfrytëzohen për qëllime partiake gjatë fushatës elektorale, gjithmonë duke mbrojtur identitetin dhe integritetin e fëmijës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti Elmi Reçica së bashku me shumë shokë, bashkpartiakë e…