Komisionari i BE-së: ‘Ballkani i Hapur’ s’është zëvendësim i BE-së
Komisionari i Bashkimit Evropian (BE) për fqinjësinë dhe zgjerimin, Oliver Varhelyi, ka thënë se nisma “Ballkani i Hapur” nuk është zëvendësim i BE-së, por duhet bazuar në rregullat e kësaj organizate.
I pyetur për “Ballkanin e Hapur”, Varhelyi ka theksuar se bashkëpunimi rajonal ka potencial të madh për rajonin.
“Jo vetëm sa i përket arritjes së rezultateve, por disa thonë, si Banka Botërore, se nëse Ballkani zbaton katër liritë që kemi në BE, ata mund të shtojnë një të tretën shtesë në PBB-në e tyre. Kjo është në duart e rajonit. Rajoni duhet ta bëjë këtë duke hequr barrierat. Ne kemi bërë një plan investimi ekonomik duke pasur parasysh këtë”, ka thënë Varhelyi, shkruan “RTCG”.
Më tutje, ai ka thënë se çdo bashkëpunim rajonal duhet të shoqërohet me kushte të përshtatshme.
Kujtojmë se pro “Ballkanit të Hapur” janë Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut ndërsa si vëzhguese janë Bosnjë dhe Hercegovina dhe Mali i Zi kurse kategorikisht kundër është vetëm Kosova.