Komisionari i BE-së e siguron Hotin se Kosova do ta pranojë vaksinën kundër Covidit
Kryeministri i Republikës së Kosovës Avdullah Hoti, ka zhvilluar një bashkëbisedim me komisionarin për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varhelyi.
Në këtë bashkëbisedim, komisionari Varhelyi e ka siguruar Hotin se një sasi e vaksinës Covid-19 do të arrijë në Kosovë sikurse në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, teksa e kanë cilësuar si të papranueshme futjen e vaksinave nga Serbia në Kosovë.
“Sa i përket sigurimit të vaksinës kundër Covid-19, z. Varhelyi e siguroi kryeministrin Hoti se një sasi e saj do të arrijnë në Kosovë në të njëjtën kohë sikurse në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Të dy bashkëbiseduesit ngritën shqetësimin për hyrjen ilegale të vaksinës kundër Covid-19 në Kosovë, pa procedura të rregullta të importit apo donacionit për produkte medicinale, për të cilat nuk dihet as origjina. Kjo sjellje e Republikës së Serbisë u konsiderua e papranueshme dhe institucionet e Kosovës kanë iniciuar veprimet e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këto veprime”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.
Ndërsa kryeministri Hoti e ka siguruar komisionarin Varhelyi, se Kosova do të vazhdojë të ketë stabilitet institucional dhe fiskal, do ta trajtojë me prioritet menaxhimin e pandemisë Covid-19 dhe do t’i kryej të gjitha obligimet që dalin karshi procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Me këtë rast, Hoti e ka falënderuar Varhelyin, edhe për përkrahjen në lansimin dhe zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane ERA 2.
Kryeministri Hoti e ka siguruar komisionarin Varhelyi se në kuadër të planeve për vaksinim janë përfshirë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa asnjë dallim.
Krejt në fund, kryeministri Hoti e ka falënderuar institucionet e Bashkimit Evropian, për gatishmërinë që të vazhdojnë mbështetjen e pakursyer për institucionet dhe qytetarët e Kosovës, në menaxhimin e krizës të cilën e ka shkaktuar pandemia Covid-19.