Komisionerja e BE-së: Kosova ka plotësuar kriteret për liberalizim të vizave
Komisionerja e BE-së për Ekonomi dhe Shoqëri Digjitale, Mariya Gabriel, ka zhvilluar sot një takim me zëvendëskryeministrin Enver Hoxhaj, ministrin për Inovacion Besim Beqaj dhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka.
Pas takimit komisionerja e BE-së për Ekonomi dhe Shoqëri Digjitale, Mariya Gabriel, ka thënë se Kosova mund të jetë një nga partnerët e tyre që ta përdorë teknologjinë si një motor të ekonomisë.
Ajo ka folur edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Kosova ka punuar shumë për të fituar liberalizimin e vizave dhe mund t’u urojmë për të gjitha këto. Është e rëndësishme të vazhdohet me dialog me të gjitha shtetet që të merret vendimi sa më shpejt. Të gjitha kriteret janë plotësuar, por nuk është proces i lehtë. E keni këtë potencial dhe është e rëndësishme që të vazhdoni. Liberalizimi i vizave është i rëndësishëm për ju dhe vazhdoni të punoni brenda vendit tuaj”, ka thënë ajo në një konferencë për media në Prishtinë.