Komisioni Evropian dërgon gjashtë vende në gjyq për ndotje të ajrit
Komisioni Evropian ka bërë me dije se do të dërgojë Gjermaninë, Francën dhe katër vende të tjera në Gjykatën më të lartë, për shkak të bllokimit në përmbushjen e standardeve të BE-së për cilësinë e ajrit.
Vendimi ka ardhur pasi Komisioni i Bashkimit Evropian u ka dhënë shancën e fundit në janar gjashtë vendeve: Britanisë së Madhe, Italisë, Hungarisë, Rumanisë, Gjermanisë dhe Francës për të ndërmarrë hapa në përmirësimin e cilësisë së ajrit.
Megjithatë, komisioneri i mjedisit i BE-së, Karmenu Vella, ka thënë në një konferencë për medie në Bruksel se vendet nuk arritën të veprojnë shpejtë.
“Komisioni duhej të konkludonte se masat shtesë të propozuara nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur standardet e cilësisë së ajrit sa më shpejtë të jetë e mundur. Si pasojë, komisioni ka vendosur t’i dërgojë këto gjashtë shtete anëtare në Gjykatën e Drejtësisë së BE-së”, ka thënë Vella.
Gjykata e cila gjendet në Luksemburg, këtyre shteteve mund t’ju shqiptojë gjoba të rënda. (Rel)