Komisioni Evropian disburson 9.9 milionë euro në buxhetin e Kosovës
Një shumë prej 9,985 milionë eurosh të fondeve të asistencës për mbështetje të buxhetit të dhëna nga Komisioni Evropian janë disbursuar në Thesarin e Kosovës. Disbursimet e bëra kanë të bëjnë të lidhura me standardet e dakorduara lidhur me reformat në administratën publike dhe në menaxhimin e financave publike.
“Mbështetja e BE-së për Reformën e Administratës Publike dhe Menaxhimin e Financave Publike shpërblen progresin që e bën qeveria në zbatimin e strategjive të saj dhe në arritjen e synimeve të dakorduara ndërmjet BE-sw dhe qeverisë së Kosovës”, thuhet në një komunikatë të Zyrës së BE-së në Kosovë.
Sipas kësaj komunikate, BE-ja është duke punuar me qeverinë e Kosovës në këto reforma që nga dhjetori i vitit 2017. “Për ta çuar këtë përpara, qeveria tani duhet të përshpejtojë dinamikën e reformave. Në veçanti, Komisioni pret që qeveria të mbetet e përkushtuar për zbatimin e paketës legjislative të Reformës së Administratës Publike dhe për hapat e nevojshëm për përmirësimin e llogaridhënies së agjencive të pavarura, të vazhdojë me politikat makroekonomike të orientuara drejt stabilitetit dhe të rris transparencën, veçanërisht sa i përket shfrytëzimit të fondeve buxhetore dhe proceseve të prokurimit publik”.
Kjo mbështetje e BE-së po ashtu do të ndihmojë Kosovën edhe në luftimin e pandemisë Covid-19 dhe ndikimit të saj në ekonomi dhe financa publike.
(A.M / Epoka e re)