Komisioni Evropian: Kosova, pak progres në shumë fusha
Komisioni Evropian (KE) do ta prezantojë të martën pasdite raportet e progresit për vendet e që synojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian (BE).
Pakoja e zgjerimit, që përfshin edhe raportet vjetore të progresit për vendet në këtë proces, pritet të konstatojë vetëm një përparim të kufizuar të këtyre vendeve drejt përmbushjes së kritereve për integrim në Bashkimin Evropian (BE).
Dokumenti do të paraqitet më vonë pasdite nga Komisioneri evropian për zgjerimin, Oliver Varhelyi – autor i paketës. Paketa do të mbulojë gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) si dhe Turqia. Serbia dhe Mali i Zi tashmë kanë nisur procesin e negociatave të pranimit, me Malin e Zi që ka hapur të gjithë kapitujt në këtë proces. Turqia po negocion gjithashtu anëtarësimin në BE, megjithëse në marrëdhënie të tendosura me institucionet e Brukselit. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në pritje të hapjes së negociatave. Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova janë në fund të listës sepse janë të vetmet vende që kanë perspektivë evropiane, por ende nuk kanë statusin e kandidatëve për anëtarësim në BE.
Sipas këtij dokumenti, Kosova duhet të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe të bëjë përpjekje të tjera substanciale në “zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara” të arritura në kuadër të dialogut me Serbinë dhe të “kontribuojë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, është thënë në Raportin e Progresit.
Sipas KE-së, një marrëveshje e tillë është urgjente dhe thelbësore në mënyrë që Kosova dhe Serbia të mund të përparojnë në rrugën e tyre drejt BE-së.
Raporti ka theksuar se jostabiliteti politik dhe pandemia kanë ndikuar në përparimin sa i përket zbatimit të agjendës së reformave evropiane të Kosovës, që sipas dokumentit ka qenë i kufizuar.
Prandaj, Komisioni Evropian u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që t’i qasen me prioritet zbatimit të agjendës së evropiane.
Raporti i Progresit për Kosovën ka theksuar jostabilitetin politik në Kosovë. Aty përmendet edhe zgjedhjet parlamentare të shkurtit dhe formimi i Qeverisë së Kosovës në muajin mars, por është theksuar se në pjesën më të madhe të periudhës që përfshin ky raport, ka pasur një “atmosferë polarizuese politike”.
KE-ja po ashtu ka vënë theksin te situata në veri të Kosovës, sa i përket korrupsionit, krimit të organizuar dhe kushteve për lirinë e shprehjes dhe thuhet se situata në këtë pjesë është ende sfiduese.
Bashkimi Evropian ka theksuar se Kosova ka disa nivel të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit, por që janë në fazë të hershme.
“Gjatë periudhës së raportimit, është bërë përparim i kufizuar, përfshirë edhe hetimet dhe gjykimi i rasteve të nivelit të lartë”, ka theksuar KE-ja. Po ashtu, në luftën kundër krimit të organizuar thuhet se është bërë përparim i kufizuar.
Komisioni Evropian, megjithatë ka thënë se Kosova ka bërë përparim në luftën kundër terrorizmit, “veçanërisht në rehabilitimin dhe riintegrimit të luftëtarëve të huaj dhe familjeve të tyre”.
Megjithatë, Komisioni Evropian ka kritika për sistemin gjyqësor, pasi administrimi i drejtësisë vlerësohet se vazhdon të jetë “i ngadalshëm, joefikas dhe i ndjeshëm ndaj ndikimeve politike”. Si pikë pozitive është parë Strategjia për sundimin e ligjit dhje planin e veprimit, që është miratuar në gusht të vitit 2021.
Por, synimet e Kosovës për të bërë vetting në gjyqësor vetëm një herë është parë me “shqetësim” nga KE-ja.
Në raport po ashtu flitet për përparimin që ka bërë Kosova sa i përket përmirësimit të infrastrukturës rrugore dhe rritjes së investimeve në energjinë e ripërtërishme, por “burimet e energjisë me bazë në qymyr vazhdojnë të jenë shqetësuese”.
KE-ja sërish ka thënë se reforma në administratën publike është urgjente.
Në raportin për Serbinë, pos vlerësimeve për kapitujt që analizon Komisioni, vend ka zënë edhe dialogu për normalizimin e raporteve me Kosovën.
“Sa i përket normalizimit të raporteve me Kosovën, dialogu i lehtësuar nga BE-ja ka vazhduar me takimet në nivel të lartë më 15 qershor dhe 19 korrik të vitit 2021 si dhe tri takime të kryenegociatorëve. Gjatë periudhës që përfshin raporti, të dyja palët kanë emëruar kryenegociatorët e ri dhe ekipet negociuese”.
“Serbia duhet të bëjë përpjekje tjera domethënëse për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve nga e kaluara dhe të kontribuojë në arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin gjithëpërfshirës, ligjërisht obligues të raporteve me Kosovën”, është thënë në raport.
Sa i përket raporteve me vendet fqinje thuhet se “Serbia në përgjithësi ka vazhduar të jetë e përkushtuar për bashkëpunim me vendet fqinje nga procesi i zgjerimit dhe vendet e Bashkimit Evropian”. Për raportet me Malin e Zi është thënë se kanë qenë të tensionuara.
Serbia ka shënuar vetëm “përparim të kufizuar” në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Problem është theksuar sidomos numri i vogël i dënimeve përfundimtare dhe konfiskimit të pasurisë për personat e përfshirë në krim të organizuar.
Komisioni Evropian në këtë raport të progresit shprehet i shqetësuar edhe për vazhdimin e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve dhe në përgjithësi me gjendjen e lirisë së shprehjes.
Raporti i Progresit ka konstatuar se sjellja e Serbisë në përshtatje të qëndrimeve me BE-në në politikën e jashtme mbetet e pandryshuar.
“Një numër veprimesh të Serbisë kanë shkuar kundër qëndrimeve të BE-së në politikën e jashtme. Ne vitin 2020 përshtatja e Serbisë me deklaratat relevante të Përfaqësuesit të lartë në emër të BE-së dhe vendimet e Këshillit ka qenë 56 për qind, por është rritur në vitin 2021 në 61 për qind”, është thënë në raport, shkruan “Rel”.
Serbia e ka statusin e vendit kandidat nga viti 2012, ka nisur negociatat e anëtarësimit në vitin 2014, por deri tash ka hapur vetëm 18 nga gjithsej 35 kapituj dhe ka mbyllur përkohësisht vetëm dy. Në kapitullin 25 për Serbinë është vendosur edhe kushti për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve me Kosovën.
Edhe në këtë raport përsëritet se “dinamika e përgjithshme e negociatave do ta vazhdojë të varet në veçanti nga dinamika e reformave në sundimin e ligjit dhe normalizimin e raporteve të Serbisë me Kosovën.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni: KËTU