Komisioni Evropian propozon ndalimin e konsumimit të duhanit në hapësira të jashtme
Komisioni Evropian po planifikon të rekomandojë një ndalim të gjerë të pirjes së duhanit në hapësirat e jashtme, përfshirë edhe produktet pa nikotinë.
Propozimet synojnë zgjerimin e ndalimeve ekzistuese në tarracat e kafeneve, stacionet e autobusëve, kopshtet zoologjike dhe zona të tjera publike, shkruan Euronews.
Propozimi, i cili pritet të miratohet së shpejti nga ekzekutivi i BE-së, synon të pasurojë udhëzimet aktuale të vitit 2009 dhe të përfshijë produktet inovative të duhanit, si cigaret elektronike dhe produktet e duhanit të ngrohur, qoftë me ose pa nikotinë.
Komisioni dëshiron të zgjerojë ndalimin e pirjes së duhanit në hapësira të jashtme të tilla si ballkonet dhe verandat e restoranteve dhe bareve, si dhe stacionet e transportit publik dhe vendet ku janë të pranishëm fëmijët, përfshirë këndet e lojërave dhe kopshtet zoologjike.
Ky hap vjen si pjesë e përpjekjeve për të frenuar rreziqet e kancerit të lidhur me duhanin dhe për të mbrojtur shëndetin publik nga ekspozimi ndaj tymit dhe aerosoleve të dëmshme.