Komisioni Evropian refuzon Holandën, vizat për Shqipërinë nuk rikthehen
Komisioni Evropian (KE) ka refuzuar kërkesën e Holandës për rikthimin e vizave me Shqipërinë.
Sipas një njoftimi të zyrës së shtypit të KE-së, Shqipëria nuk ndodhet në rrethanat kur mund të vihet në lëvizje mekanizimi për pezullimin e vizave.
Gjithsesi, Komisioni Evropian ka theksuar se do të monitorojë nga afër përmbushjen e standardeve nga Shqipëria.
“Pas një vlerësimi të kujdesshëm të përmbajtjes së njoftimit të marrë nga Holanda dhe bazuar në informacionin në dispozicion dhe të dhënat përkatëse, Komisioni konsideron se në situatën aktuale rrethanat për të nxitur mekanizmin e pezullimit të vizave nuk plotësohen. Komisioni do të vazhdojë të monitorojë nga afër përmbushjen e standardeve të liberalizimit të vizave për Shqipërinë, si dhe për vendet e tjera që përfitojnë nga udhëtimi pa viza”, është thënë në reagimin e KE-së.
Parlamenti i Holandës kishte miratuar disa muaj më parë një rezolutë ku udhëzonte Qeverinë që të kërkonte nga Brukseli rikthimin e vizave për Shqipërinë.
Deputetët holandezë patën venë theksin te kriminaliteti në rritje i shqiptarëve që jetojnë në Holandë, por pasi shifrat tregonin një situatë të kundërt, shqetësimi ishte ndryshuar dhe ishte trajtuar “për shkak të sofistikimit të krimit të organizuar shqiptar në Holandë.”
Pas vendimit të Komisionit Evropian, ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, ka thënë se “tani është koha që, pas këtij konfirmimi, Shqipëria të çojë më tej arritjet e saj të rëndësishme të vitit 2010 dhe për të ecur përpara me energji të përtërira, duke pasur parasysh vendimin e rëndësishëm të Këshillit Evropian në tetor”. /Top Channel/