Komisioni Evropian vlerëson se mungesa e rrymës është pengesa kryesore e zhvillimit të Kosovës
Rryma e pasigurt dhe problemet me prodhimin dhe furnizimin e pa-rregullt me energji elektrike në vend, janë sfidat kryesore për zhvillimin ekonomik të Kosovës, sipas Raportit të Progresit për Kosovën të Komisionit Evropian, të publikuar pak kohë më parë.
Sipas raportit, Kosova ka dështuar të zvogëlojë humbjet në rrjetin e energjisë elektrike deri sa kapacitetet aktuale prodhuese të energjisë elektrike, vlerësohen si të pasigurta.
“Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa për t’u bashkuar me tregun e Shqipërisë për shkëmbim të energjisë, por linja e re e transmisionit me Shqipërinë ende nuk është operacionale, për shkak të mosmarrëveshjeve në mes Kosovës dhe Serbisë. Kosova nuk ka infrastrukturë të gasit”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian.
Sipas këtij raporti, problemet e furnizimit me energji elektrike janë vlerësuar si sfidë kryesore e të bërit biznes edhe nga vetë bizneset. Raporte të anketimit të USAID, theksojnë se bizneset humbin mbi 300 milionë euro në vit për shkak të furnizimit jo-të rregullt me energji elektrike.
“Qeveria ka nënshkruar marrëveshje komerciale me tenderuesin për ndërtimin e Termocentralit ‘Kosova e Re’, me kapacitet prej 500 megavatësh, ndërtimi i të cilit do të fillojë në vitin 2019”, thuhet në raport.
Sipas Raportit të Progresit, Kosovës i duhet të fillojë përgatitjet për dekomisionimin e njësive të Kosovës A, duke përfshirë edhe identifikimin e lokacionit për hedhjen e mbetjeve të rrezikshme të këtij termocentrali, deri sa rekomandohet edhe ndërmarrja urgjente e investimeve në Kosovën B, me qëllim të zvogëlimit të vlerave të ndotjes.
“KEK duhet të përcaktojë orarin e të gjitha punëve në kuadër të asistencës së planifikuar të BE-së për renovimin e Kosovës B, në mënyrë që ajo të jetë në përputhje me dispozitat e Direktivës për emetimet e pluhurit dhe NOx’”, është thënë pos tjerash në raport.
Sipas strategjisë energjetike të Kosovës, pas dekomisionimit të Termocentralit “Kosova A”, Termocentrali “Kosova e Re” do të ofrojë kapacitete të mjaftueshme për furnizim të rregullt me energji elektrike. Përveç tjerash, termocentrali do të sigurojë furnizim dhe pavarësi energjetike për Kosovën. “Termocentrali i ri i paralajmëruar i Kosovës, përmes zvogëlimit të ndotjes, do të plotësoj të gjitha standardet e përcaktuara të Komisionit Evropian”.