Komisioni Hetimor për energji fton për intervistim edhe Thaçin e Mustafën

08 qershor 2022 | 15:44

Ish-kryeministrat Agim Çeku, Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Ramush Haradinaj do të intervistohen nga Komisioni Hetimor në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.

Ky komision që synon t’i hetojë dyshimet për keqpërdorime në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022 do t’i intervistojë edhe disa ish-ministra.

Bëhet fjalë për ish-ministrat Besim Beqaj, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Fadil Ismaili, Valdrin Lluka, Muharrem Nitaj dhe Justina Pula. Por, me mosfutjen në këtë listë të kryeministrit Albin Kurti, ka reaguar deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, “EO”.

Ai ka kërkuar që në këtë listë pos Kurtit të futet zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

“Është e pandershme me përmend Hashim Thaçin e jo Albin Kurtin. Nëse dëshironi të bëni politikë, bëjmë politikë. Është e pandershme me anashkaluar Qeverinë Kurti 1 dhe 2, e mos ta përmendësh Hekuran Muratin e Besnik Bislimin”, ka thënë Beqa.

Kujtojmë se Hashim Thaçi gjendet në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, në kuadër të “Ballkanit…