Komisioni hetimor për energji i propozuar nga pozita do të dëgjojë dëshmitë nga viti 2006
Deputetët e Komisionit Hetimor parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike nuk kanë rënë dakord që hetimet të nisin nga vitet e fundit.
Përkundër propozimit të mazhorancës që dëshmitë të ndahen në periudha 3-vjeçare dhe prioritet t’i jepet zhvillimeve të viteve të fundit, kjo është kundërshtuar nga deputetët e opozitës.
Në mbledhjen e këtij komisioni është vendosur që intervistimi i dëshmitarëve nga ky komision të fillojë nga viti 2006 duke ftuar ministra, kryesues e anëtarë të bordeve, drejtorët të përgjithshëm, etj.
Derisa deputetët e opozitës kanë propozuar që intervistimi të nisë nga periudha e vitit 2006, pozita kërkonte që intervistimi i dëshmitarëve të fillojë duke nisur nga vitit 2017-2020.
Kryetari i këtij komisioni, Hajdar Beqa, ka kërkuar që intervistomi të nis nga viti 2006.
Kategorizim në faza ka kërkuar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, dhe si propozim i tij ishte që intervistimi i dëshmitarëve të nisë nga viti 2017-2020.
Ndërsa deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se me propozim të Lëvizjes Vetëvendosje për intervistim të dëshmitarëve nuk do të arrihet ndonjë rezultat.
Edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka kundërshtuar propozimin e deputetëve të LV-së, Armend Muja për intervistim në faza.
Insistues në kërkesën e tyre që intervistimi i dëshmitarëve të nisë në faza ishte edhe deputeti i LV-së, Arbër Rexhaj, i cili vazhdimisht ka kërkuar konsensus për propozimin e tyre.
Komisioni Hetimor parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike në rend dite sot ka pasur edhe shqyrtimin e CV-ve për angazhim të ekspertëve, por kjo pikë është shtyrë për mbledhjen e radhës pasi buxheti për këtë komision hetimor nuk ka kaluar në Kuvend të Kosovës në mungesë të kuorumit.