Komisioni hetimor për privatizimin miraton planin e punës, kërkohet hetim edhe për shpronësimet
Komisioni hetimor parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, i kryesuar nga Hajrulla Çeku, kryetar, ka mbajtur të mërkurën mbledhjen e radhës, në të cilën është diskutuar rreth ndryshimeve të fundit të planit të punës së këtij komisioni. Kryetari Çeku ka theksuar se ashtu siç janë dakorduar në mbledhjen e fundit, në këtë plan të punës tashmë janë inkorporuar të gjitha sugjerimet dhe rekomandimet lidhur me punën e këtij komisioni. Pas diskutimeve, komisioni, me shumicën e votave të tij, i ka dhënë mbështetje planit të propozuar.
Para se të miratohet ky plan, deputeti i Vetëvendosje, Liburn Aliu, ka propozuar që ky komision të merret edhe me hetimin e shpronësimeve. “Kemi shpronësuar me çmime shumë të larta, por edhe me çmime shumë të ulëta”, ka thënë Aliu.
Ndërsa deputeti i PDK-së, Sejdi Hoxha, ka kërkuar që të themelohet një komision i veçantë për hetimin e shpronësimeve. Sipas tij, komisionin për privatizimin nuk ka kompetenca që të merret edhe me shpronësimet.“Nuk po më pëlqen që po kthemi në pikën zero. Mundemi me nis edhe një komision për shpronësime, sepse ky proces nuk lidhet me shpronësimit”, është shprehur ai.
Me një konstatim të tillë nuk është pajtuar deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Hekuran Murati, i cili ka thënë se nuk ka asnjë ndërhyrje në fushëveprimtarinë e komisionit nëse hetohen edhe shpronësimet. “Nuk shoh që kemi problem me këtë fushëveprim. Nëse shkojmë me këtë fushëveprim jemi në rregull, duhet me marrë informata prej të gjitha palëve”, është shprehur Murati, ndaj të cilit ka reaguar deputeti Hoxha. “Ne nuk po fshehim asgjë. Mos u mundoni me devijuar. Ju po thoni është 1 për qind, ku po e dimë në sa raste duhet me u lëshuar të shpronësimet. Pse mos t’i bëjmë krejt në këtë komision. T’i hetojmë krejt shpronësimet.
Më tutje, deputetja e LDK-së, Doruntinë Maloku, ka thënë se pozicioni i deputetëve të PDK-së dhe LV-së është duke krijuar përshtypjen e bllokimit të punëve. Krejt në fund kryetari i këtij komisioni, Hajrulla Çeku, ka kërkuar që deri në fund të javës të jetë gati lista e dëshmitarëve dhe ekspertëve në lidhje me këtë proces.“Deri në fund të javës të dërgohet lista e dëshmitarëve. Edhe për ekspertët duhet të vendosim deri në fund të javës”, është shprehur Çeku.
(A.M/ Epoka e re)