Komisioni i aksionarëve të NPB vendos për “Projektin në Lakrishtë”
Në mbledhjen e Komisionit të aksionarëve të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), i përbërë nga Vllaznim Osmani, aksionar i kryetarit të Komunës së Prishtinës, Granit Geci dhe Leutrim Retkoceri, aksionarë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, është diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit në NPB.
“Kjo mbledhje vjen pas disa analizave dhe hulumtimeve të fakteve që kanë bërë Komisioni, në lidhje me kontratën për ndërtimin e projektit në Lakrishtë, e cila disa herë është kontestuar kjo kontratë nga një parti e caktuar duke iu adresuar formës dhe instancave gjyqësore të gabuara, qoftë kjo me qëllime të caktuara apo si pasojë e mosdijes. Komisioni thekson se ka zgjedhur rrugën e duhur ligjore për të kontestuar këtë kontratë dhe për të njëjtën nuk do të ndalet deri në arritjen e qëllimit të vërtetë të ruajtjes së interesit publik dhe në interes të Ndërmarrjes Publike Banesore”, ka njoftuar NPB-ja.
Pas pranimit të Opinionit Ligjor nga zyra ligjore, përmes të cilit është dhënë konkluzioni se Rregullorja për Rritjen e Pasurisë së Paluajtshme të Ndërmarrjes Publike Banesore përmes ndërtimit është në kundërshtim me legjislacion përkatës në fuqi, aksionarët pas shqyrtimit dhe analizimit të fakteve dhe opinionit në fjalë, kanë nxjerrë vendim përmes të cilit anulohet vendimi me numër protokolli 01-586/1 i datës 27.04.2021 i Komisionit Komunal të Aksionarëve për miratimin e draft marrëveshjes kryesore për bashkëinvestim të prezantuar në mbledhjen e datës 22.4.2021 nga ish-kryeshefi ekzekutiv.
“Komisioni kërkon nga Bordi i Drejtorëve të shfuqizoj Rregulloren për Rritjen e Pasurisë së Paluajtshme të Ndërmarrjes Publike Banesore përmes ndërtimit Nr. Prot. 01-1311/1 e datës 07.12.2020, në bazë të opinionit ligjor të datës 29.05.2023 i nxjerrë nga Komuna e Prishtinës përmes të cilës konstatohet se e njëjta është e paligjshme. Komisioni konstaton se obligohet Bordi i Drejtorëve që në koordinim me zyrën ligjore dhe me KE-në, të ndërmerren hapat e nevojshëm ligjor, lidhur me Kontratën LRP. Nr. rendor 4791/2021, Ref: 955/2021 e datës 17.05.2021 dhe të gjitha anekset e kësaj kontrate. Po ashtu, obligohet Bordi i Drejtoreve që të kërkojë nga departamentet përkatëse në NPB të bëjnë një vlerësim të dëmeve që ka shkaktuar kontrata dhe konform gjetjeve të iniciojë procedurën ligjore për kompensim dëmi dhe të njoftoj organet e rendit për dëmet e shkaktuara. Ky vendim i Komisionit të aksionarëve të Ndërmarrjes Publike Banesore është në fuqi qysh në momentin e nxjerrjes dhe prodhon efekte juridike”, ka theksuar NPB-ja.