Komisioni i granteve aprovon financimin komunal për vitin 2020 – 2022
Granti i përgjithshëm për komuna për vitin 2020 do të jetë në shumën prej 196.28 milionë eurosh. Krahasuar me vitin 2019, në këtë vit ka rritje prej 15.6 milionë eurosh
Nën udhëheqjen e ministrit të Financave, Bedri Hamza, është mbajtur të martën takimi i radhës i Komisionit të Granteve, ku është diskutuar për rolin dhe përgjegjësitë e anëtarëve të rinj të Komisionit të Granteve dhe është aprovuar financimi komunal për vitin 2020 – 2022.
Në këtë takim është diskutuar për kornizën afatmesme të shpenzimeve 2020-2022, niveli komunal, ku me këtë dokument përcaktohen grantet qeveritare për financimin e komunave për vitin 2020 dhe orientimet për vitet 2021 – 2022, bazuar në prioritetet strategjike të Qeverisë në fushën e marrëdhënieve fiskale ndërqeveritare.
Po ashtu, ky dokument përcakton nivelin e të hyrave vetjake të komunave për vitin fiskal 2020 si dhe parashikimin afatmesëm 2021 – 2022.
Parimet, kriteret dhe formulat e zbatuara për ndarjen e granteve qeveritare për financimin e komunave për vitin 2020 bazohen në Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal (LFPL) dhe Tabelën 1 të projeksioneve makro-fiskale, të përgatitur nga Ministria e Financave, siç specifikohet në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë (LMFPP).
Sipas kornizës afatmesme të shpenzimeve 2020-2022, niveli komunal burimet e Financimit Komunal për vitin 2020 – 2022 janë granti i përgjithshëm, granti shtesë për financimin e kryeqytetit, granti specifik për arsim parauniversitar, granti specifik për shëndetësi primare, financimi për shëndetësinë sekondare, financimi për shërbimet rezidenciale, financimi për qendrën historike të Prizrenit, fshatin Zym dhe Hoçën e Madhe, financimi për zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit, financimi për teatro, projeksionet e të hyrave vetjake komunale si dhe investimet sipas klauzolës për investime.
Në bazë të kësaj kornize, e cila u aprovua të martën nga anëtarët e Komisionit të Granteve, granti i përgjithshëm për komuna për vitin 2020 do të jetë në shumën prej 196.28 milionë eurosh. Krahasuar me vitin 2019, ka një rritje prej 15.6 milionë eurosh.
Në kuadër të grantit shtesë për financimin e kryeqytetit, për vitin 2020 Prishtina përfiton grant shtesë prej 11,777,096 eurosh krahasuar me vitin 2019 dhe ka një rritje prej 0.9 milion eurosh.
Granti specifik për shëndetësi primare për vitin 2020 është në shumën prej 61.7 milionë eurosh, nga të cilat 53.4 milionë euro janë grant bazë dhe 8.3 milionë euro kosto shtesë për paga dhe mëditje. Shpërndarja e grantit specifik për shëndetësi bazohet në sistem të hapur në përputhje me LFPL.
Granti për shëndetësinë primare për vitin 2020, krahasuar me vitin 2019, ka rritje prej 8.3 milionë eurosh. Financimi për shëndetësinë sekondare për vitin 2020 është në shumën prej 2,603,077 eurosh. Financimi i shërbimeve rezidenciale për shtëpitë e komunitetit të propozuara nga MPMS-ja për vitin 2020 është në shumë prej 2.040,000 eurosh. Financimi për shërbimet rezidenciale për vitin 2020 krahasuar me vitin 2019 ka një rritje prej 0.44 milion eurosh.
Me hyrjen në fuqi të Ligjit Nr. 04/L-066 për Qendrën Historike të Prizrenit, Ligjit Nr. 04/L-196 për Qendrën Kulturore Historike të fshatit Zym dhe Ligjit Nr. 04/L-62 për fshatin Hoçë e Madhe, me planifikimin e buxhetit për vitin 2020 ndahen mjete financiare në shumën prej 69,048 eurosh, për dy komunat si vijon: Komuna e Prizrenit, në shumë prej 44,144 eurosh dhe Komuna e Rahovecit, në shumën prej 24,904 euro.
Bazuar në Ligjin Nr. 05/L-044 për zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij, në nenin 9, Obiliqi përfiton nga inkasimi i rentës minerale nga institucioni përkatës, 20 për qind e vlerës së kësaj rente rialokohet nga Buxheti Qendror për Buxhetin Komunal të Komunës së Obiliqit, e dedikuar në mënyrë specifike për investime në zhvillimin e komunitetit në lokacionin ku ndodhet njësia biznesore në fushën e mbrojtjes së mjedisit, infrastrukturës, sportit, shëndetësisë dhe arsimit. Për vitin 2020 Komuna e Obiliqit, bazuar në inkasimin e rentës minerale, përfiton financim shtesë prej 4,175,567 eurosh.
/Epoka e re/