Komisioni i Venecias miraton opinionet për projektligjet e reformës në drejtësi, Qorrolli e vlerëson hap historik

14 mars 2025 | 14:58

Gjatë Sesionit të 142-të Plenar të Komisionit të Venecias, janë miratuar tri opinione ligjore për projektligjet e reformës në drejtësi në Republikën e Kosovës.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, ka thënë se ky miratim ka rëndësi të jashtëzakonshme për procesin e aprovimit të këtyre projektligjeve, të cilat do të reformojnë thelbësisht sektorin e drejtësisë duke e përafruar atë me standardet më të avancuara ndërkombëtare.

“Ky është një moment historik, një dëshmi se drejtësia në Kosovë po kalon nga një periudhë tranzicioni në një fazë të konsolidimit të saj si shtyllë e pavarur dhe e pakompromis e shtetit të së drejtës. Ky miratim nuk është thjesht një hap procedural, është një fitore politike, juridike dhe morale për qytetarët e Republikës së Kosovës. Reforma në drejtësi nuk është luks dhe as thjesht një domosdoshmëri teknike, është themeli mbi të cilin ndërtohet një shoqëri e drejtë dhe e lirë”, ka thënë ai.

Qorrolli ka theksuar se drejtësia e pavarur është garancia për liritë dhe të drejtat e qytetarëve, për barazinë para ligjit dhe për ndërtimin e një shteti që i shërben qytetarit, jo interesave të grupeve apo individëve të fuqishëm.

Opinionet e Komisionit të Venecias, kanë shtjelluar projektligjet për Këshillin Gjyqësor të Kosovës; Projektligjit për Akademinë e Drejtësisë, projektligjin për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit dhe Statusin e gjyqtarëve/prokurorëve si dhe Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve të cilat sigurojnë hapin e mëtejshëm për realizimin e këtyre reformave.

“Kosova po dëshmon se është një shtet që nuk ndërton vetëm institucione, por ndërton drejtësi. Një shtet që e vendos ligjin mbi interesat e individëve dhe fuqinë e së drejtës mbi të drejtën e fuqisë. Ky është vetëm fillimi. Reforma në drejtësi nuk përfundon këtu. Ndërtimi i një drejtësie të pavarur kërkon guxim, përkushtim dhe besim. Dhe ne jemi të vendosur ta çojmë këtë proces deri në fund, me ndershmëri, profesionalizëm dhe përkushtim të plotë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Qorrolli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ballkani është duke fituar pas pjesës së parë në ndeshjen…