Komisioni i Venedikut nuk e trajton kërkesën që ia dërgoi Kurti
Komisioni i Venedikut i është përgjigjur sot Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në lidhje me kërkesën për opinion në raport me kompetencat e Presidentit.
Kjo kërkesë u dërgua në Komisionin e Venedikut, pasi që u publikua Dekreti i Presidentit dhe para vendimit për vendosjen e masës së përkohshme nga Gjykata Kushtetuese.
Siç njofton Zyra e Kryeministri, pasi Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për vendosjen e masës së përkohshme deri më 29 maj, duke e pezulluar veprimin e Dekretit të Presidentit, dhe meqë Gjykata po e trajton këtë çështje, Komisioni ka vlerësuar që të respektojë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese, pasi veçse ka vepruar.
“Ne e mirëpresim sugjerimin e Komisionit për të respektuar e pritur shqyrtimin e kërkesës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Pas trajtimit nëse shihet nevoja për sqarime shtesë dhe ndihmë për opinion nga Komisioni, do të ndërmarrim hapat e nevojshëm”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Rikujtojmw se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, të premten (2 maj) i ka dërguar kërkesë për opinion në Komisionin e Venedikut në lidhje me kompetencat e Presidentit të Kosovës në shpërndarjen e Kuvendit dhe në kompetencat e tij për propozimin e mandatarit për Kryeministër të vendit, pas mocionit të suksesshëm të mos-besimit. (A. M / Epoka e re)