Komisioni për Buxhet dhe Financa miratoi raportin vjetor 2018
Në raportimin para anëtarëve të Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës, guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka thënë se raporti vjetor për vitin 2018 ashtu siç e parasheh Ligji për BQK-në, paraqet një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike dhe njëkohësisht aktivitetet, të cilat janë zhvilluar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe që me sukses ka arritur të realizoj objektivat e saj të parapara me ligj.
Guvernatori Mehmeti ka thënë se raporti vjetor i vitit 2018, thekson se sektori financiar vazhdoi të rritej dhe të ketë shkallë të lartë të qëndrueshmërisë dhe të jetë kontribuues i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të vendit.
“Vlera e gjithsej aseteve të sektorit financiar në Kosovë arriti në 6.32 miliard euro, me një rritje vjetore prej 6.9 për qind. Vlen të theksohet se kemi vazhdimësi të rritjes së kreditimit të sektorit bankar me një rritje vjetore prej 10.9 për qind dhe rënie të mëtutjeshme të kredive jo performuese, të cilat në dhjetor ishin 2.7 për qind. Kemi një rënie të theksuar të normës efektive të interesit në kredi, gjë që ka bërë që të përmirësohet qasja në financa dhe të rritet shkalla e ndërmjetësimit financiar. Po ashtu një ndër faktorët kryesor që ka ndikuar në rritjen ekonomike në vend është edhe rritja e kreditimit dhe kjo tregon rolin e sektorit bankar në rritjen e zhvillimit ekonomik të vendit. Rëndësi të veçantë ka zhvillimi i performancës pozitive të sektorit të sigurimeve. Është viti i dytë që ky sektor performon me rezultat financiar pozitiv. Në vitin 2018 ka arritur që të ketë një rezultat pozitiv prej 1.6 miliard euro dhe kjo tregon që ky sektor përkundër humbjeve ndër vite që i ka pasur, falë masave të marra nga BQK-ja, ka arritur të konsolidohet dhe është viti i dytë që ka rezultat financiar pozitiv, trend që po vazhdon edhe në këtë vit”, ka deklaruar guvernatori Mehmeti.
Para anëtarëve të komisionit, guvernatori ka folur edhe për aktivitetet e zhvilluara nga BQK-ja duke nisur nga puna e vazhdueshme në avancimin e legjislacionit sekondar dhe harmonizimin e tij me standardet ndërkombëtare.
“Ne kemi nisur zbatimin e kërkesave të Basel 3 që aktualisht po aplikohet në Bashkimin Evropian dhe njëkohësisht e kemi aprovuar rregulloren për implementimin e IFRS9, që në BE ka filluar të aplikohet në janar të vitit 2018. Raporti po ashtu pasqyron edhe avancimin e kapaciteteve në të gjitha fushat, përfshirë mbikëqyrjen e bankave, sigurimeve dhe institucioneve tjera financiare. Mbikëqyrja është duke u realizuar konform praktikave më të mira ndërkombëtare, përmes të cilave kemi filluar të mbikëqyrim industrinë bazuar në risk, kemi arritur të kemi një numër shumë më të madh të informatave si rezultat i kornizës së re raportuese dhe mbikëqyrjes nga perspektiva e ofsajdit. Kemi pasur misionin e FMN-së në tremujorin e parë të këtij viti dhe nga diagnostifikimi, janë vlerësuar lartë të arriturat në sektorin financiar”, ka deklaruar guvernatori Mehmeti, duke shtuar se edhe raporti i auditorit të jashtëm ka potencuar qeverisjen e mirë që e ka karakterizuar BQK-në gjatë vitit 2018.
/Epoka e re/