Komisioni për Buxhet voton raportin për Projektligjin për automjete

14 korrik 2021 | 11:47

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere kryesuar nga kryetari Armend Muja ka mbajtur të mërkurën mbledhjen e radhës.

Në fillim të mbledhjes kryetari Muja ka propozuar që të hyjë si pikë e rendit të ditës raporti me amendamente për Projektligjin nr.08/L-004 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 05/L-132 për Automjete, me rekomandim të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë.

Raporti u miratua me shumicën e votave të anëtarëve të Komisionit.

Po me propozimin e kryetarit Muja, raporti vjetor financiar i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin 2020 u vendos që të shqyrtohet në njërën nga mbledhjet e ardhshme, në mënyrë që anëtarëve të Këshillit që sapo janë emëruar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës t’u jepet kohë për të prezantuar raportin.

Anëtarët e Komisionit u pajtuan që shqyrtimi i raportit vjetor i Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës për vitin 2020 që ishte paraparë për mbledhjen e sotme, të shtyhet, pasi që në mungesë të drejtorit të kësaj Agjencie, përfaqësimi, sipas deputetëve, nuk ishte adekuat.

Mbledhja ka vazhduar me shqyrtimin e raportit vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2020, raport ky që e prezantoi anëtari i Bordit të ZRRE-së Izet Rushiti.

Pas raportimit, u hap debati për pyetje nga ana e deputetëve, e që morën përgjigje nga ana e përfaqësuesve të ZRRE-së.

Pas debatit raporti u hodh në votim, por nuk mori miratimin e Komisionit.

Komisioni ka shqyrtuar edhe raportin vjetor të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) për vitin 2020, të cilin e prezantoi Osman Vishaj.

Për votimin e tij nuk pati kuorum, sikurse as për shqyrtimin e raporti vjetor financiar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2020.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Malishevës ka njoftuar se është duke vazhduar inspektimi…