Komisioni për Buxhet shqyrton Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike
Komisioni për Buxhet dhe Transfere shqyrton Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike. Ky komision, në mbledhjen që do ta mbajë sot, pritet që ta shqyrtojë këtë projektligj.
Kujtojmë se të hënën e kaluar Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim kishte votuar në lexim të parë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.
Ky projektligj kishte dështuar të votohej për gjashtë herë që nga muaji gusht kur ishte prezantuar për herë të parë në Kuvend.
Nëse projektligji siguron votat e nevojshme në seancë, kryetarja e Kuvendit e nënshkruan dhe e dërgon te presidenti për shpallje. Ndërkaq, presidenti ka afat tetë ditë për ta shpallur ose për ta kthyer atë për rishqyrtim në Kuvend.
Në dispozitat e këtij projektligji është plotësimi dhe ndryshimi i disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia Covid-19. Ky do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.
Me anë të këtij projektligji parashihet zbatimi i pakos së rimëkëmbjes ekonomike në vlerë prej 365 milionë eurosh.