Komisioni për Punë të Brendshme diskuton për zhvillimet në veri
Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në mbledhjen e sotshme ka përkrahur dy raporte me amendamente të Projektligjit Nr. 06/L-026 për Azil, si dhe Projektligjit nr. 06/L-036 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-219 për të Huajt.
Anëtarët e këtij komisioni kanë diskutuar edhe zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Mitrovicës, me theks të veçantë për arrestimin e zyrtarit të lartë të shtetit serb, Marko Gjuriq.
Këtë çështje e ka ngritur zëvendëskryetari i dytë i këtij komisioni, Zoran Mojsiloviq, duke theksuar se pjesëtarët e policisë së Kosovës kanë përdorur forcën dhe se aksioni i policisë ndaj tyre, sipas tij, ka qenë i jashtëligjshëm dhe i panevojshëm.
“Udhëheqësit e këtij aksioni duhet të bartin përgjegjësi për veprat e kryera gjatë asaj dite dhe duhet të bëhet një hetim lidhur me këtë”, ka thënë Mojsiloviq, duke e quajtur tubimin e përfaqësuesve serb si paqësor.
Deklarata e tij ka ngjallur reagimet e menjëhershme të anëtarëve të Komisionit. Haxhi Shala dhe Muharrem Nitaj, të cilët kanë shprehur mospajtimin e tyre lidhur me akuzat që iu bënë policisë nga Mojsiloviq.
Ata kanë kërkuar që fillimisht lidhur me këtë të pritet një raport zyrtar i policisë apo Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe më pastaj mbi bazën e atij raporti të zhvillohet debati në komision.
Ndërsa, Ismet Beqiri, Rexhep Selimi, Fatmir Xhelili dhe Xhelal Sveqla, kanë thënë se Policia e Kosovës, në këtë rast, ka ruajtur rendin kushtetues, por tubimin e përfaqësuesve serb e quajtën ilegal.
Ndërkaq, kanë theksuar se operacioni nuk është zhvilluar mbi baza etnike.
Pas një diskutimi të gjerë lidhur me këtë, ata u dakorduan që fillimisht të presin publikimin e një raporti zyrtar të MPB-së lidhur me ngjarjet e asaj dite në pjesën veriore të Mitrovicës, ndërkaq, pas këtij raporti të ftohet për raportim në Komision, ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, për të dhënë sqarimet e nevojshme lidhur me këtë aksion të PK-së.