Komisioni për të Drejtat e Njeriut reagon ndaj publikimit të listave të veteranëve
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Zhdukur dhe Peticione, në mbledhjen e mbajtur të hënën ka reaguar lidhur me publikimin e listave të veteranëve të dyshuar si “veteranë mashtrues”.
“Me rastin e publikimit të listave të veteranëve të dyshuar si ‘veteranë mashtrues’, janë shkelur të drejtat e njeriut, të drejtat e privatësisë, si dhe është cenuar prezumimi i pafajësisë duke u bërë gjykim publik përmes medieve ndaj veteranëve. Andaj, duke e parë se procesi është akoma në fillim të shqyrtimit nga organet e drejtësisë, reagojmë me shqetësim të thellë para opinionit publik. Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Zhdukur dhe Peticione, bazuar në fushëveprimin e vet, kërkon nga institucionet kompetente shtetërore që të gjejnë personat përgjegjës të publikimit të këtyre listave dhe ndaj tyre të merren masa në përputhje me legjislacionin në fuqi”, është thënë në reagimin e këtij komisioni i cili drejtohet nga deputetja Duda Balje.
/Epoka e re/