Komisioni që po heton depërtimin e turqve kërkon edhe një muaj kohë
Marrja në pyetje e zyrtarëve të ndryshëm të shtetit ka përfunduar ditë më parë dhe tashmë Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq më 29 mars 2018, ka kërkuar edhe një muaj afat nga Kryesia e Kuvendit për ta përmbyllur raportin e tij me të dhënat e grumbulluara.
Megjithatë, ky komision thuajse e ka të gatshëm draftin e raportit përfundimtar, por që për shkak të disa mospajtimeve nga ana e përfaqësuesve të partive në pushtet, është dashur të kërkohet edhe një muaj kohë nga kryesia.
Nënkryetari i këtij komisioni, Driton Selmanaj ka thënë për agjencinë e lajmeve “Fakteplus”, se për shkak të disa mospajtimeve të deputetëve të pushtetit është dashur të kërkojnë edhe një muaj afat, ani pse draftin e raportit e kanë gati.
“Raportin e kemi final krejt dhe e kishim në plan ta përfundojmë të hënën, ndërsa të martën ta votonim. Por, përfaqësuesit e partive në pushtet filluan të nxjerrin telashe, pasi ne jemi themeluar në muajin korrik dhe normalisht muajin gusht nuk llogaritet sepse ka qenë pushim. Tash ata thoshin që ka kaluar mandati. Unë thosha që edhe nëse na ka kaluar mandati, i bie që ne nuk mund të marrin asnjë aktivitet tjetër, por jo me hartuar draftin e raportit. Për ndryshe mund ta shtyjmë edhe dy apo tri jave derisa ta miratojmë raportin. Si kompromis kërkuam nga kryesia një muaj kohë”, ka thënë Selmanaj.
Telashet nga deputetët e pushtetit, sipas Selmanajt kanë ardhur pasi e kanë parë se në raportin final ka mjaft fakte për përgjegjësinë e shumë institucioneve dhe individëve për depërtimin e gjashtë shtetasve turq për në Turqi.
“Definitivisht po, janë një serë personash dhe institucionesh që duhet të thirren në përgjegjësi sepse ka pasur shkelje në disa shkallë. Të gjitha këto institucione që kanë qenë të përfshirë në këtë proces po thuajse kanë bërë shkelje dhe tash ka individ që kanë përgjegjësi, ka institucione që kanë përgjegjësi, të gjitha i kemi shkruar në raport, por ende nuk mund t’i zbulojmë me emër pasi ende nuk e kemi miratuar raportin”, ka thënë Selmanaj.
Ai ka thënë se prokuroria ka fakte të mjaftueshme për t’u shërbyer nga raporti i Komisionit për të vazhduar punën e saj më tutje.
“Mendoj që po, ndryshe nuk do të kishte kuptim themelimi i komisioneve hetimore. Ne kemi themeluar komision hetimor, kemi të gjetura në bazë të intervistave, mjaftë fakte dhe argumente dhe ka vend këtu edhe për prokurorinë dhe ajo mund t’i marr si dëshmi të mjaftueshme për të ecur më tutje”, ka theksuar ai.
Më 29 mars 2018 gjashtë shtetas turq ishin depërtuar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me AKI-në, çka kishte shkaktuar bujë të madhe, meqë ishte konsideruar deportim i paligjshëm. Pas këtij rasti, ishte shkarkuar drejtori i AKI-së, Driton Gashi dhe ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj.