Komiteti Ekzekutiv: Ademi, kryetar i FFK-së deri në vitin 2022
Agim Ademi do të vazhdojë ta mbajë postin e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) deri në përfundim të mandatit më 2022, ka këmbëngulur Komiteti Ekzekutiv FFK-së, në një reagim ndaj raportimeve në media se kryetari do të rizgjidhet më 2020.
Në një reagim të ashpër, Komiteti Ekzekutiv (KE) i organit qeverisës së futbollit në vend, i ka dënuar, siç ka thënë, përpjekjet e atyre që po bëjnë përpjekje për të mbledhur nënshkrime për thirrjen e zgjedhjeve për kryetar të ri të FFK-së. KE-ja thotë se Ademi, i zgjedhur më 2018, njihet si kryetar i FFK-së me mandat katërvjeçar nga shtëpitë botërore dhe evropiane të futbollit, FIFA dhe UEFA.
Reagimi i plotë i KE-së:
Deklaratë e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, pas shkrimeve të pavërteta dhe që kanë qëllim për të sjellë konfuzitet tek komuniteti i futbollit, lëshon këtë:
DEKLARATË
Përkundër sukseseve të jashtëzakonshme të futbollit kosovar, grupet e njohura për opinion që s’kanë të bëjnë fare me futbollin, e të cilët po e sakrifikojnë edhe një “karrierist” të paskrupullt nga Administrata, vazhdojnë të bëjnë fushatë të egër të mbledhjes së nënshkrimeve, kinse për të propozuar kandidatë për kryetar.
Iu përkujtojmë edhe një herë të gjithë atyre që mundohen të përfitojnë nga intrigat dhe konfuziteti se:
1.Kryetari i FFK-së, z. Agim Ademi është zgjedhur më 6 korrik 2018, për mandat katërvjeçar, i votuar në mënyrë unanime nga të gjithë delegatët e Kuvendit pa asnjë vote kundër.
2.Procesverbali i është dërguar UEFA-s, FIFA-s, MKRS, Ministrisë së Administratës Publike dhe KOK-ut;
3.Në Kuvend ishin prezent delegatë nga UEFA, nga FIFA, MKRS, KOK, Federatat tjera etj. dhe kanë raportuar për një Kuvend jashtëzakonisht të qetë, të rregullt ligjërisht dhe pa asnjë kundërshtim apo vërejtje.
4.Raporti i delegatëve të FIFA-s dhe UEFA-s si dhe urimi i Kryetarit të FIFA-s dhe UEFA-s përmend qartë mandatin katërvjeçar dhe uron suksese në punën e tij.
5.Vetëm delegatët e Kuvendit e kanë të drejtën ekskluzive që në çdo kohë të kërkojnë llogari nga çdo anëtar i saj, e jo grupet me të kaluar të dyshimtë dhe me qëllime të pastra përfitimi e destabilizimi të futbollit kosovar. Vitin e ardhshëm do të bëhet rizgjedhja e anëtarëve të KE-së, të cilat zgjedhje do të bëhen në regjionet e futbollit dhe këtë zgjedhje të anëtarëve të KE-së, Kuvendi i FFK-së e vërteton në kohën dhe afatet e caktuara me ligj.
Me respekt,
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së