Komiteti i Gjilanit apelon qytetarët që t’i respektojnë masat kundër përhapjes së Covid-19
Nën udhëheqjen e kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, është mbajtur mbrëmjen e të martës takim i Komitetit emergjent për parandalimin e përhapjes së Covid-19, ku janë bërë vlerësimet pas 14 rasteve të fundit pozitive.
Në takim u tha se situata është nën kontroll të plotë, pas konfirmimit të 14 rasteve pozitive me Covid-19, të cilët janë vendosur në karantine.
Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka thënë se gjendja e të infektuarve është e mirë e me simptoma të lehta, derisa në emër të Komitetit, u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i respektojnë masat kundër përhapjes së virusit.
“Do të vazhdojmë me masat e shtuara në Gjilan dhe bashkë me Policinë e Kosovës, jemi 24 orë në krye të detyrës. Po punojmë në identifikimin e të gjitha kontakteve të të infektuarve në mënyrë që ta menaxhojmë situatën në mënyrën më të mire. Sonte dhe nesër do të kontaktohen të gjithë nga shtabi emergjentë”, ka thënë Haziri.
(Q.R / Epoka e re)