Komiteti LIBE voton pro, Kosova edhe një hap më afër liberalizimin e vizave
Me anë të një shkrimi në rrjetin social në “Twitter”, Komiteti Evropian për liri Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme ka bërë me dije se në një votim të hapur është marrë vesh që të fillojnë bisedimet me Këshillin Evropian për heqjen e vizave për Kosovën.
Mandati do të konfirmohet në një seancë plenare të Parlamentit Evropian.
66 anëtarë kanë votuar për propozimin e fillimit të bisedimeve me Këshillin Evropian. 49 vota kanë qenë për, 4 abstenime dhe 13 vota kundër.
Komiteti LIBE është komitet i posaçëm në Parlamentin Evropian për mbrojtje të të drejtave civile dhe të drejtave njerëzore, duke përfshirë ato të minoriteteve. Mandatin e drejtimit të këtij instrumenti të PE-së e ka spanjolli Juan Fernando Lopez Aguilar.
Nëse propozimi kalon edhe në Parlamentin Evropian, atëherë hapet rruga për bisedime me Këshillin Evropian. Pas përfundimit të bisedimeve me Këshillin Evropian pritet që të dilet me një vendim përfundimtar për liberalizim të vizave. Nuk dihet sa do zgjasë ky proces.
Seanca plenare në Parlamentin Evropian mbahet muajin që vjen.
Këshilli Evropian kërkon votim unanim për liberalizim të vizave për shtetet. Ajo përbëhet nga 28 anëtarë nga secili shtet në BE. Andaj kërkohet që secili shtet të votojë pro liberalizimit të vizave për Kosovën. Kosova është shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor pa liberalizim të vizave.