Komiteti Olimpik i Evropës në pritje të rezultateve të hetimeve për masat ndaj Serbisë
Presidenti i Komitetit Olimpik Evropian (EOC), Janez Kocijançiç, ka thënë se organizata e tij nuk do të tolerojë diskriminimin e atletëve, por ka shtuar se do të presë rezultatet e hetimit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) pas pengimit të ekipit kosovar të karatesë nga pjesëmarrja në Kampionatin Evropian të Karatesë në Serbi këtë javë.
Pere Miro, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i IOC-së, ka thënë për “insidethegames” se janë “të gatshëm të ndërmarrin masat e nevojshme për të shmangur këtë situatë të përsëritet”.
Miro tha se IOC-ja ishte e vetëdijshme “për pjesëmarrjen problematike” të Kosovës në ngjarje, vend i cili shpalli pavarësinë nga Serbia më 2008.
Një sërë takimesh, të ndërmjetësuara nga IOC-ja, u mbajtën mes Federatës Botërore të Karatesë, Federatës Evropiane të Karatesë (EKF), Komiteteve respektove Olimpike Kombëtare dhe Qeverisë së Serbisë,
Sipas Miros, një marrëveshje për pjesëmarrjen e Kosovës u arrit.
Qeveria e Serbisë paralajmëroi më herët këtë javë se delegacioni i Kosovës nuk do të lejohet të prezantojë asnjë simbol kombëtar gjatë ngjarjes, e cila nisi dje dhe përfundon nesër.
Qeveria më pas konfirmoi se Kosova nuk do të mundet të marrë pjesë në ngjarje.
Edhe pse organizata në fjalë nuk është e përfshirë fare në Kampionatet Evropiane, ngjarja rastisi me seminarin e EOC-së në Beograd.
Edhe Komiteti Olimpik i Kosovës mori pjesë në këtë seminar dyditor, që përfundoi sot në Beograd.
Kocijançiç mirëpriti pjesëmarrjen e Kosovës në këtë ngjarje, ndërsa theksoi se organizata do të presë për hetimin e IOC-së në Kampionatin Evropian të Karatesë për të marrë një përfundim.
“Në lidhje me incidentin në Kampionatin Evropian të Karatesë, në IOC po zhvillohet një hetim dhe ne duhet të presim rezultatet”, tha ai për “insidethegames”, transmeton Koha.net.
“Pjesa më e madhe e këtyre po ndodhin në nivel politik dhe shtetëror. Nuk është fushë e jona, ne asnjëherë nuk përfshihemi në vendimet e vendeve për të njohur apo jo vendet tjera. Fatkeqësisht në Evropë kemi një sërë problemesh të këtilla. Në baza afatgjata, ne nuk do të tolerojmë asnjëherë diskriminimin e atletëve në asnjë kohë. Është shumë e qartë, Komiteti Olimpik Kombëtar i Kosovës është i njohur nga IOC-ja dhe janë anëtar të EOC-së”, tha Kocijançiç.
Ai theksoi se Kosova ka marrë pjesë në ngjarje të organizuara nga IOC e EOC dhe as në rastin e Serbisë nuk është diçka më ndryshe sepse “kur ulemi përreth tavolinës, të gjithë jemi të barabartë”.
Në një zhvillim tjetër, EKF-ja ka thënë se kanë mbajtur një takim të jashtëzakonshëm për të analizuar ngjarjet në lidhje me pjesëmarrjen e atletëve të Kosovës.
Ata tani kanë nisur një hetim të ndarë nga ai i IOC-së, ku është mbledhur një komision special për të mbledhur informata.
“Komisioni do të kryesohet nga sekretari i përgjithshëm i EKF-së, Stjepan Celan”, thuhet në një deklaratë të EKF-së.
“Zëvendëspresidenti i parë i EKF-së, Jiri Bocek dhe zëvendëspresidenti i tretë i EKF-së, Wolfgang Weigert, do të kompletojnë panelin. Pasi të kenë marrë të gjitha detajet në lidhje me rastin nga të gjitha palët e përfshira, komisioni do të hartojë një raport për t’u analizuar nga Komiteti Ekzekutiv”, është thënë në deklaratën e EKF-së.
Kujtojmë se kohë më parë, Spanjës iu hoq e drejta e organizimit të Kampionatit të Peshëngritjes për Juniorë dhe U-23 për shkak të qëndrimit politik të këtij vendi karshi Kosovës.