Komiteti Olimpik Ndërkombëtar përjashton sportin e boksit nga Olimpiada
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka përjashtuar nga eventet olimpike sportin e boksit amator. Ky vendim ishte i pritshëm pas konfliktit që IOC kishte prej vitesh me Federatën Ndërkombëtare të Boksit (IBA).
Vendimi do të hyjë në fuqi në Olimpiadën e vitit 2028, në Los Anxhelos, ndërkohë që boksi do të jetë i pranishëm në “Paris 2024”. Në një asamble të jashtëzakonshme, 69 anëtarë të IOC votuan PRO përjashtimit të boksit dhe vetëm një 1 votë ishte kundër.
Kjo Federatë ishte pezulluar nga IOC prej vitit 2019, për shkak të akuzave për korrupsion, problemeve me lidershipin dhe manipulimit të rezultateve. Për këtë arsye, ishte Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ai që i organizoi eventet kualifikuese të Tokio 2020. Edhe në Olimpiadën e Parisit, do të jetë IOC ai që do të merret me menaxhimin e eventeve kualifikuese të boksit. Ndërkohë që, një federatë rivale mund të zërë vendin e IBA në familjen olimpike.
IBA u përpoq në këto muaj të mos lejonte përjashtimin e sportit të boksit nga Olimpiadat, por nuk e fitoi dot betejën me IOC. Ai kishte rekomanduar përjashtimin, bazuar në një raport që kishte publikuar në fillim të qershorit. Edhe CAS i Lozanës hodhi poshtë pretendimet e IBA.