Kompania ajrore bie pre e sulmit kibernetik
Kompania ajrore britanike “EasyJet” ka rënë pre e një sulmi kibernetik nga hakera të cilët kanë arritur akses në të dhënat personale të 9 milion personave.
Është vetë kompania që e bën të ditur një lajm të tillë ditën e sotme ndërkohë që njofton se hakerat kanë hyrë edhe në të dhënat e kartave të kreditit të të paktën 2 mijë personave.
Nuk dihet ende nëse janë vjedhur shuma parash nga llogaritë bankare të klientëve, por kompania vijon hetimet për të gjetur personat e përgjegjshëm për këtë sulm.
“Nuk kemi ende prova nëse ka mungesë të parave në llogaritë e përdoruesve apo ndonjë keqpërdorim i të dhënave personale. Ne po vijojmë hetimet si dhe po përpiqemi të komunikojmë me çdo klient për t’i informuar”, ka deklaruar zëdhënësi i kompanisë.
“EasyJet” deklaron gjithashtu se ka përforëcuar sistemin e sigurisë të kompanisë për të parandaluar një sulm tjetër në vijim.
Kompanitë britanike të fluturimit kanë rënë pre e sulmeve kibernetike edhe më parë. Kujtojmë se në vitin 2018, kompania “British Airway” u sulmua nga hakera të cilët arritën të marrin informacione të llogarive bankare të qindra mijëra klientëve në të gjithë botën./Ora News.tv/