Kompania amerikane e automobilave hap fabrikën në Kinë
Derisa Shtetet e Bashkuara dhe Kina negociojnë çështje tregtare, që i kanë bërë të dyja palët të vendosin tarifa më të larta ndaj produkteve të njëri-tjetrit, përfshirë sektorin e automobilave, Kompania Amerikane “Tesla” ka hapur të hënën një fabrikë të re për prodhimin e makinave elektrike në Kinë.
Kjo është fabrika e parë që hapi kjo kompani jashtë Shteteve të Bashkuara, ndërsa në ceremoninë e inaugurimit, krahas zyrtarëve lokalë në periferi të Shanghait, ishte i pranishëm edhe drejtori i kompanisë, Elon Musk.
Ai ka deklaruar se synimi është që deri në verë të përfundojë ndërtimi i fabrikës dhe deri në fund të këtij viti, të fillojë prodhimi i makinave. “Tesla” ka në plan të ndërtojë në Shangai modelin e 3-të të makinës dhe tha se shpreson që fabrika kineze të prodhojë 500 mijë automjete në vit.
Pronarja e vetme e fabrikës është kompania “Tesla”, në ndryshim nga praktikat e mëparshme të Kinës për bizneset e huaja. Me hapjen e fabrikës në Shangai, kompania “Tesla” nuk do të përballet me problemin e çmimeve më të larta për konsumatorët kinezë, për makina të importuara nga Shtetet e Bashkuara./tch/